Arbëri

OSHP-ja i kthen në rivlerësim dy pjesë të tenderit për rrugën Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq

Gjykata e tenderëve i ka kthyer në rivlerësim dy pjesë të tenderit për rrugën Prishtinë-Pejë, përkatësisht për segmentin Dollc-Zahaq, shkaku i shkeljeve në procesin e prokurimit. Por dritën e gjelbër e dha për dy pjesë tjera të këtij tenderi që u pat shpallur një vit më parë nga Ministria e Infrastrukturës, e për të cilat janë nënshkruar kontratat të premten. Vonesat në këtë proces janë bërë për shkak të ankesave të shumta nga operatorët ekonomikë

As pas më shumë se një viti, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) nuk e ka përmbyllur tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Pejë, përkatësisht segmentin Dollc-Zahaq.

Parregullsitë dhe shkeljet e shumta që e kanë përcjellë këtë aktivitet të prokurimit kanë bërë që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) javën e shkuar t’i kthejë në rivlerësim dy pjesë, teksa dritën e gjelbër ta japë për dy pjesët e tjera për të cilat është nënshkruar kontratë të premten.

“Paneli Shqyrtues ka gjetur se lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Zgjerimi i rrugës Nacionale N 9, Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc - Zahaq, Loti 1, 2, 3, 4” me numër të prokurimit 205-24-668-5-1-1 nga autoriteti kontraktues Ministria e Infrastrukturës duhet vërtetuar Njoftimin mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues për Lot 3 dhe për Lot 4, ndërsa aktiviteti i prokurimit të kthehet në Rivlerësim për Lot 1 dhe për Lot 2”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Njoftimi paraprak i tenderit mbi 45 milionë eurosh është publikuar në shkurt të vitit të kaluar, kurse tenderi është shpallur në korrik të atij viti.

Që nga shpallja, ky aktivitet i prokurimit është përcjellë me ankesa të shumta nga operatorët ekonomikë. Fillimisht, ankesat janë bërë për kriteret e vendosura, ndërsa ato të fundit janë të ndërlidhura me operatorët e rekomanduar për kontratë.

“MMPHI-ja ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e LPP-së neni 11, informatat sekrete afariste ku janë klasifikuar dosjet në tërësi si informacion sekret afarist (përjashtuar disa lista dhe anekse), ku sipas pikës 4 neni 11 LPP Autoriteti kontraktues që e ka klasifikuar një element të informatës si informatë sekrete afariste, sipas paragrafit 3. të këtij neni, do të përgatitë versionin e ‘pastruar’ të çdo dokumenti, nëse elementi i tillë gjendet në dokumentin në të cilin, po ashtu gjendet informacioni që nuk konsiderohet të jetë sekret”, thuhet në ankesën e kompanisë “Mirusha Company”.

Për këtë aktivitet janë dorëzuar tetë ankesa nga kompani të ndryshme.

Një nga pretendimet që është miratuar nga OSHP-ja është edhe ajo për mungesë të dokumentacioneve të detyrueshme nga grupet e operatorëve të rekomanduar për kontratë.

Për lotin 1, operatori fitues nuk e ka dorëzuar deklaratën e kërkuar për krijimin e grupit të operatorëve ekonomikë, ani se kjo ka qenë kërkesë e dosjes së tenderit.

Edhe përfaqësuesi i MMPHI-së është pajtuar me konstatimet e ekspertit shqyrtues që Loti 1 duhet të kthehet në rivlerësim, por jo edhe lotet 2 dhe 3.

Pas vendimit të OSHP-së, Ministria e Infrastrukturës i ka shpallur fituesit më 7 korrik të 2025-tës dhe më 18 korrik i ka nënshkruar kontratat për lotin 3 me Grupin e Operatorëve Ekonomikë JOOS & KRASNIQI - BAZE SH.P.K.; ILEAA - GR SH.P.K.; Albavia sh.p.k; BERISHA COM SH.P.K me ofertën prej 10.6 milionë euro, ndërsa për lotin 4 fitues u shpall “Grup i Operatorëve Ekonomikë ,,Lika Trade Sh.p.k.; Lika Company SH.P.K”, në vlerë prej 8.8 milionë euro.