Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

OSHP-ja gjen për herë të dytë shkelje në tenderin 2-milionësh të Komunës së Prishtinës

Komuna e Prishtinës

Organi Shqyrtues i Prokurimit konstatoi shkelje në tenderin 2 milionë eurosh të Komunës së Prishtinës për ndërtimin dhe pastrimin e lumenjve e kanalizimeve kundër vërshimeve. Gjykata e Tenderëve urdhëroi që aktiviteti i prokurimit të kthehet sërish në rivlerësim, pasi Komuna rekomandoi për kontratë operatorë ekonomikë që më parë u patën shpallur të papërgjegjshëm

Organi Shqyrtues i Prokurimit konstatoi se Komuna e Prishtinës, për herë të dytë radhazi e ka shkelur Ligjin për Prokurim Publik në tenderin rreth 2 milionë eurosh për “Ndërtimin, rregullimin, vendosjen dhe pastrimin e lumenjve dhe kanalizimeve për mbrojtje nga vërshimet”.

Sipas OSHP-së, Komuna nuk i ka zbatuar gjetjet e panelit shqyrtues, pasi edhe gjatë rivlerësimit më 31 dhjetor e rekomandoi për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë, që në gusht të 2025-s u pat shpallur i papërgjegjshëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për këtë arsye, OSHP-ja vendosi ta kthejë aktivitetin sërish në rivlerësim dhe ta anulojë rekomandimin për kontratë të operatorëve, që ofertuan gati për gjysmë milioni më shtrenjtë sesa operatori ankues i eliminuar.

“Paneli shqyrtues në mënyrë të pavarur dhe objektive, me ndërgjegje dhe kujdes profesional ka vlerësuar të gjitha provat e rastit. Në këtë mënyrë është gjetur se Autoriteti Kontraktues nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore për prokurimin publik dhe kërkesat e dosjes së tenderit lidhur me aktivitetin e prokurimit. Si rrjedhojë, Paneli Shqyrtues e mbështet rekomandimin e ekspertit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendim.

OSHP-ja e urdhëroi Komunën që, brenda afatit ligjor, t’i zbatojë gjetjet me qëllim të zgjidhjes së ligjshme e efektive të lëndës.

“Paneli Shqyrtues, pas shqyrtimit të të gjitha fakteve dhe argumenteve ka ardhur në përfundim se AK gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk ka respektuar dispozitat ligjore të LPP-së, kështu që urdhëron AK-në që gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit t’iu përmbahet në tërësi dispozitave ligjore të LPP-së”, thuhet tutje në vendim.

E te përfundimet e ekspertit shqyrtues theksohet kërkesa që Komuna t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe të bëjë vlerësim objektiv të ofertave.

“Eksperti i propozon Panelit Shqyrtues që të aprovojë ankesën e OE ‘EING COM SH.P.K.’ si të bazuar, të anulojë njoftimin mbi vendimin e AK-së të nxjerrë pas rivlerësimit dhe ta kthejë lëndën në rivlerësim të mirëfilltë, me udhëzim të qartë që Autoriteti Kontraktues të zbatojë gjetjet e vendimit paraprak të Panelit, përfshirë trajtimin e plotë dhe të njëtrajtshëm të kushteve administrative eliminuese për GOE të rekomanduar për kontratë, duke siguruar trajtim të barabartë dhe vlerësim objektiv të ofertave”, thuhet në vendim.

Më 31 dhjetor, Komuna rekomandoi për kontratë “DIGA Solutions L.L.C., ED–Construction SH.P.K. dhe IMK – Industria Metalike e Kosovës”, për të cilat OSHP-ja pat konstatuar se nuk i plotësonin disa nga kriteret e kërkuara në dosje të tenderit, përfshirë formularin për formimin e grupit të operatorëve.

Në Komunën e Prishtinës dhe në kompanitë e përfshira nuk u përgjigjën për vendimin e ri.

Ndonëse rregullorja e punës e OSHP-së kërkon që rivlerësimi të bëhet brenda 15 ditësh, Komuna e Prishtinës herën e parë e pati kryer me katër muaj vonesë, më 31 dhjetor.

“Kur vendimi i panelit shqyrtues është për rivlerësim të aktivitetit të prokurimit, atëherë obligohet autoriteti kontraktues që brenda 15 ditësh, nga dita e pranimit të vendimit, të njoftojë OSHP-në lidhur me rezultatin e procesit të rivlerësimit dhe njëkohësisht t’i njoftojë palët në procedurë”, thuhet në nenin 29 të rregullores së OSHP-së.

Kur vendimet e OSHP-së nuk respektohen nga autoritetet kontraktuese, legjislacioni parasheh shqiptimin e masave ndaj tyre, duke nisur nga gjoba prej jo më pak se 5 mijë euro në rastet e mosrespektimit të vendimit brenda afatit të paraparë, e deri te masa disiplinore, përfshirë revokimin e licencës së administrimit të prokurimit të zyrtarit përgjegjës.

As në OSHP dhe as në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik nuk u përgjigjën në pyetjet e KOHËS nëse këto masa i janë shqiptuar Komunës së Prishtinës.