Arbëri

Opozitarja bjelloruse merr shembullin e Kosovës për liri e prosperitet

Sviatlana Tsikhanouskaya

Sviatlana Tsikhanouskaya, opozitare bjelloruse që vepron nga jashtë shtetit, ka marrë shembull Kosovën për liri e prosperitet.

Në një shkrim në Twitter ajo ka bërë të ditur se e ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Davos të Zvicrës.

“Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Kosovës tregon se si guximi, qëndrueshmëria dhe solidariteti ndërkombëtar mund të çojnë drejt lirisë dhe prosperitetit. Ne e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për popullin e Bjellorusisë”, ka shkruar ajo.

Tsikhanouskaya është figura kryesore e opozitës bjelloruse dhe udhëheqësja simbolike e rezistencës kundër regjimit të Aleksandër Lukashenkos. Ajo u bë figurë e njohur në zgjedhjet presidenciale të 2020-s, pasi burri i saj Siarhei Tsikhanouski u arrestua dhe iu ndali kandidimi. Sipas vëzhguesve, zgjedhjet atë kohë u manipuluan në favor të Lukashenkos. Pas zgjedhjeve pati protesta të mëdha në të gjithë vendin e Tsikhanouskaya u detyrua të largohej nga shteti. Që nga ajo kohë, vepron si opozitare bjelloruse në arenën ndërkombëtare.

Bjellorusia nuk e njeh shtetin e Kosovës.