Dy prej tri partive opozitare kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë secilin proces votimi në seanca plenare e në komisione derisa të shpërndahet Kuvendi. Votimin e bojkotuan edhe në mbledhjen e Kryesisë, pas së cilës shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së theksoi se ky subjekt politik synon të sigurojë mbështetje që deri të hënën e dytë të shtatorit, kur nis sesioni i ri, do t’i sigurojnë votat për mocion të suksesshëm të mosbesimit kundër Qeverisë
Deri në shpërndarje të Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike (PDK) e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë paralajmëruar të martën mospjesëmarrje në votim.
Kjo masë e opozitës që u aplikua edhe të martën në mbledhje të Kryesisë e pamundësoi edhe caktimin e rendit të ditës për seancën e së premtes.
Këtë javë Kuvendi synon t’i mbajë dy seanca me të cilat do të përmbyllet sesioni pranveror. Në atë të së enjtes do të shqyrtohen pikat e papërfunduara në seancat e deritashme, ndërkaq në seancën e së premtes rendi i ditës i përcaktuar nga kryekuvendari do të duhet të miratohet me votat e deputetëve, për shkak të mungesës së konsensusit në mbledhje të kryesisë.
Mbledhjet e Kryesisë ka disa javë më radhë që nuk kanë kuorum vendimmarrës për shkak të qëndrimeve politike të opozitës. Në subjektet politike opozitare thanë se në këtë legjislaturë më nuk do të bëhen pjesë e votimit.
“Si grup parlamentar do të marrim pjesë në votim atëherë kur do të votohet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës. Kjo mazhorancë dhe kjo legjislaturë nuk e meritojnë të vazhdojnë asnjë ditë të vetme”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Qëndrim të njëjtë kanë shprehur edhe në AAK. Kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, ka theksuar se deri në jetësimin e mocionit të mosbesimit të thirrur nga ta nuk do ta mbështesin me votë shumicën parlamentare.
“Si grup parlamentar nuk do të bëjmë kurrfarë kuorumi dhe nuk do t’i votojmë këto ligje për shkak se jemi dakorduar që logjika e ligjbërjes në këtë Kuvend realisht është ligjbërje e kapjes së institucioneve të pavarura dhe mbi të gjitha e përpilimit të ligjeve që janë antikushtetuese”, ka thënë Tahiri.
Në seancën e së premtes është planifikuar të shqyrtohen një numër projektligjesh, përfshirë marrëveshje ndërkombëtare për miratimin e të cilave pushtetit do t’i duhen votat e opozitës.
Në Kryesi vetëm Lidhja Demokratike (LDK) është deklaruar se mund t’u japë mbështetje atyre me përjashtim të një marrëveshjeje.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk mund të ndikojnë në vendimet e partive opozitare.
“Nuk është diçka që në vendimin politik të një subjekti politik mund të vendosim apo mund të ndikojmë. Është çështje e tyre se si ata e planifikojnë opozitarizmin”, ka thënë Kusari-Lila.
Për fillimin e sesionit vjeshtor, deputetët do të kthehen në punë të hënën e dytë të muajit shtator. Deri atëherë, AAK-ja është optimiste se do t’i sigurojë votat për mocion të suksesshëm kundër Qeverisë.
“Ka një dakordim që në sesionin që fillon në shtator duhet të nisim me shkarkimin e kësaj qeverie”, ka deklaruar Tahiri.
Në mbledhjen e Kryesisë, LVV-ja e ka kundërshtuar kërkesën e PDK-së që të premten të ketë debat parlamentar lidhur me audioincizimet e publikuara të një bisede të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, me ish-shefin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq.