Arbëri

Opozita në Lipjan kërkon hartimin e rregullores së re për ceremonitë e varrimeve

Subjektet opozitare – Partia Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje - në Lipjan kanë kritikuar institucionet komunale për moszgjidhjen e problemeve të parcelave publike për varreza në disa fshatra, për shkak se në disa raste banorët me vetiniciativë kanë caktuar parcela private për varreza, duke shkelur ligjet dhe dokumentet e Planit Zhvillimor Komunal.

Sipas kuvendarëve nga radhët e opozitës, ekzekutivi duhet që ta iniciojë hartimin e një rregulloreje të re, e cila do të specifikonte largësinë e parcelave të varrezave nga shtëpitë e banimit dhe se ato duhet të kryhen në prona publike. Nga opozita është kërkuar gjithashtu që rregullorja e re të parashohë edhe procedurat e tjera për kryerjen e ceremonive të varrimeve.

Me gjendje më të rëndë po përballen banorët e fshatit Banullë, Gadime, Shalë e në disa lokalitete të tjera, përderisa varrezat gjenden të shpërndara nëpër pjesë të ndryshme afër shtëpive të banimit. Kjo çështje është debatuar edhe në mbledhjet e fundit të Kuvendit Komunal, derisa kuvendarët kanë kërkuar që secili fshat të ketë nga një parcelë të veçantë publike me vendim të Kuvendit dhe që të mos lejohet që varrezat të bëhen nëpër prona private.

Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka thënë se ekzekutivi i komunës duhet që ta hartojë me urgjencë një rregullore të re për specifikimin e varrezave nëpër vendbanime, ngase ka thënë se është e palogjikshme që varrezat të jenë afër shtëpive të banimit.

“Me varreza kemi telashe në disa fshatra, pasi që banorët po i kryejnë këto ceremoni edhe në prona private dhe madje ka raste që shumë afër shtëpive të banimit. Prandaj ne kemi kërkuar dhe kërkojmë sërish që Komuna, pikërisht ekzekutivi, ta iniciojë hartimin e një rregullore të re, e cila duhet të specifikojë që varret të largohen së paku 250 metra nga shtëpitë e banimit. Pra, kemi raste konkrete në Banullë, që varrezat i kemi vetëm 20 metra afër shtëpive të banimit dhe sa herë që ka të reshura të shiut, uji i puseve kontaminohet”, ka thënë Jashari.

Sipas Jasharit, telashe të tilla me varreza janë paraqitur edhe në Gadime, në Shalë dhe në disa lokalitete të tjera.

“Sipas rregullores së re, Komuna duhet të gjejë lokacionin, kurse varrezat e një fshati duhet të kryhen në atë lokacion. Ne si kuvendarë do të kërkojmë sërish nga Komuna që t’i marrë parasysh kërkesat e qytetarëve sepse ne si opozitë për çdo ditë po pranojmë shqetësime të tilla”, ka shtuar Jashari.

Alban Salihu, shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, ka kërkuar nga Komuna që të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve nëpër lokalitete, të cilët, sipas tij, kanë adresuar disa herë kërkesa për gjetjen e parcelave publike për varreza.

“Jemi të shqetësuar me keqmenaxhimin e parcelave publike nëpër lokalitete sepse në disa raste ka telashe me ato, ngase komuna nuk po arrin t’i caktojë për destinim të varrezave. Varrezat nuk duhet

lejuar që të kryhen afër shtëpive të banimit, madje në parcela private, derisa ka hapësirë të mjaftueshme nëpër prona publike. Këto çështje duhet të specifikohet me një rregullore të re, ngase logjikisht nuk duhet të lejohen varrezat afër shtëpive të banimit më pak se 250 metra. Rreth kësaj çështje është debatuar edhe në Kuvend, prandaj ne kërkojmë të iniciohet një rregullore e re, e cila mund të specifikojë edhe bashkëpunimet e Komunës, qoftë me bashkësinë islame dhe me qytetarët”, ka thënë Salihu.

Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit, gjatë së enjtes nuk u është përgjigjur thirrjeve të KOHËS lidhur me çështjen. Ai në njërën nga mbledhjet e fundit është zotuar se çështja do të zgjidhet në të ardhmen. “Është mirë që të iniciohet hartimi i një rregulloreje të re për çështjen e varrezave dhe kjo mund të ndodhë në të ardhmen”, kishte thënë Ahmeti.