Arbëri

Opozita kritikon Qeverinë për keqmenaxhim të situatës në Deçan

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në Komunën e Deçanit, ku deputetët e opozitës kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe institucionet përkatëse për menaxhimin e situatës në Deçan. Kritikat u kundërshtuan nga deputetët e partisë në pushtet, të cilët thanë se Komuna nuk ka kërkuar ndihmë më herët

Partitë opozitare kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe institucionet përkatëse për keqmenaxhim, papërgjegjësi dhe neglizhencë ndaj situatës së krijuar në Deçan, pas dyshimeve se në këtë komunë janë helmuar mbi 1 mijë e 500 persona.

Situata në Deçan u diskutua në Komisionin për Çështje të Sigurisë, që u mbajt në ditën kur IKSHPK-ja konfirmoi se ka gjetur bakteri në ujin që përdoret nga fshatrat e Deçanit, të cilat mund të japin indikacione për kontaminimin e ujit të pijshëm.

Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, tha se veprimet e Qeverisë janë të vonuara dhe se në raste të tilla nuk duhet pritur shkresa zyrtare për të intervenuar.

“Ne po mendojmë që nuk mundet Komuna e Deçanit me e përballu këtë situatë, duhet thirrur Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që e kryeson kryeministri, dhe krejt akterët e sigurisë të aktivizohen dhe ta mbyllin këtë temë. Askush s’po i thotë asgjë, Zoti e ruajt kryeministrin”, ka thënë Berisha.

Kritika pati edhe nga deputeti i PDK-së, Elmi Reçica.

“Ka papërgjegjësi saqë vërtet është shqetësuese. Ndodhemi para situatave që mund të kenë pasoja edhe më të mëdha. Për mua është shqetësuese kjo neglizhencë dhe papërgjegjësi e kryeministrit Kurti dhe gjithë atyre që kanë përgjegjësi për këtë”, ka thënë ai.

Por, në mbrojtje kryeministrit dhe Qeverisë u ka dalë deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli. Ai ka thënë se Komuna është vonuar për t’i lajmëruar institucionet përkatëse.

“Nuk mundet niveli qendror, sepse nuk është Zot me ditë derisa nuk ka një raport zyrtar dhe kërkesë zyrtare, që nuk munden me përballu situatën”, ka theksuar Dugolli.

Por, në këtë i është kundërpërgjigjur Berisha, duke i thënë “Zoti ta ruajt kryeministrin”.

“Ligji është për të treguar çfarë me bo. Qeveria jote quhet ekzekutive, merr veprime. Ne po mendojmë që Deçani s’mundet me përballu këtë situatë dhe duhet të thirret Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që e kryeson kryeministri, dhe krejt akterët e sigurisë që të mbyllet kjo temë. Këtë po e lypi. Kurrkush nuk është duke i thënë sen, Zoti ta ruajt kryeministrin. Janë vonu veprimet. Unë e kam ditur që janë 1 mijë 500 raste, të gjithë e kemi ditur. E po u dashka institucionet me i thirrë me u thonë zgjohuni se janë helmuar”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti Dugolli ka thënë se kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, është dashur t’u drejtohej institucioneve për ndihmë.

“Ka hierarki të procedurave. Kryetari është dashur t’u drejtohet institucioneve përkatëse se nuk po mund ta përballojë situatën dhe të kërkojë ndihmë”, ka shtuar ai.

Ndërsa bashkëpartiaku i tij, Fatmir Humolli, kritikoi edhe pozitën edhe opozitën që po e lidhin me emrin e kryeministrit Kurti.

“Unë e kam vërejtur, pa të keq, por brenda Vetëvendosjes mendojnë se gjithçka është Albini. Pa albinin s’ka kurrgjë hiç. Më vjen keq që edhe opozita po e thotë se Qeveri pa Albinin s’ka. Na duhet me u mësu me i respektu institucionet”, ka theksuar ai.

Humolli kritikoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë që ka planifikuar të dërgojë mostra për analizë jashtë vendit, duke thënë se në vend se të blihen vetura, duhet të blihen aparaturat në mënyrë që këto analiza të bëhen në Kosovë.

“Pse ne të mos ndërtojmë infrastrukturën për të bërë analizë këtu? Kur ka mundësi blerjeje me dhjetëra e dhjetëra vetura të shtrenjta, pse na të mos blejmë teknologjinë që t'i bëjmë analizat këtu dhe më tutje për ekspertizë t'i çojmë edhe në ndonjë shtet tjetër. Fatkeqësia duhet me na hapë sytë. Institucioni duhet ta parashikojë fatkeqësinë dhe të marrë masa paraprake që të mos ndodhin ato”, vazhdoi ai.

Humolli gjithashtu kërkoi më shumë bashkëpunim me Shqipërinë, duke thënë se ka ekspertë të nivelit ndërkombëtar të cilët mund t’i dalin në ndihmë Kosovës për rastin e Deçanit.

“Bashkëpunimi me shtetin shqiptar nuk është në nivel. Shteti shqiptar ka ekspertë të toksologjisë të rangut ndërkombëtar e botëror dhe prapë qeveritarët tanë shkojnë i besojnë një institucioni që bën vaki nuk mund t'i kontrollojë. Pse të mos thërrasim ekspertët e Shqipërisë?”, pyeti ai.

E deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka kërkuar që të mos paragjykohet dhe të mos politizohet situata në Deçan.

Në mungesë të kuorumit, nuk kaloi kërkesa e kryetarit Berisha që kryeministri Kurti ta ftojë Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Gjatë ditës është mbajtur edhe Komisionin për AKI, ku pa prani të mediave ka raportuar drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti. Ai para anëtarëve ka raportuar se AKI-ja po vëzhgon çdo lëvizje atje, por që, sipas tij, nuk ka vend për panik sa i përket sigurisë kombëtare.

Pas mbledhjes që zgjati gati një orë, edhe kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu, tha se nga drejtori i AKI-së u është bërë e ditur se nuk ka vend për shqetësim sa i përket sigurisë nacionale.

"Sa u përket pyetjeve tona drejtuar drejtorit të AKI-së, ishim të fokusuar në sigurinë nacionale. Mund të them me bindje të plotë, për atë që tha drejtori, se qytetarët në Deçan nuk duhet të kenë panik sa i përket anës së sigurisë kombëtare dhe përgjegjësive që ka AKI-ja. AKI-ja është në krye të detyrës me kapacitete të plota në Deçan, po vëzhgon çdo lëvizje atje, dhe tani për tani janë këto gjërat që mund të themi pasi nuk janë të dhëna përfundimtare por preliminare", ka theksuar ajo.

Musliu ka thënë se u mbetet institucioneve shëndetësore që të dalin më analiza të vërtetuara laboratorike në mënyrë që të dihet saktë se çfarë është duke ndodhur vërtet në Deçan.

"Tani ne nuk mund ta quajmë as helmim, sepse nuk kemi analiza të vërtetuara se çfarë në të vërtetë është duke ndodhur atje. Këto përfundime i nxjerrin institutet shëndetësore, që ta dimë a është helmim, epidemi apo ndonjë problem tjetër që mund të jetë", ka theksuar ai.