Përfaqësues të pushtetit e të opozitës në deklarimet e tyre pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ndër të tjera kanë folur edhe për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë dhe i jep fund përdorimit të dinarit.
Përfaqësuesit e opozitës kanë ripërsëritur kërkesat e tyre ndaj Qeverisë për koordinim me aleatët, ndërkohë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se ata janë duke u koordinuar por se zbatimi i Kushtetutës është çështje e Kosovës.
Derisa ka folur për vendimin e BQK-së, Kusari-Lila ka thënë se BQK-ja ka marrë vendim si institucion i pavarur, njësoj siç sipas saj, ka marrë vendim për fazë të tranzicionit deri në zbatim të plotë të vendimit.
Ajo ka thënë se koordinimi e komunikimi me ndërkombëtarët është duke vazhduar.
“Janë disa çështje për të cilat nuk ka pasur dallime në parime, por në afatin kohor të zbatimit. Komunikimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera është duke vazhduar, por që konsiderojmë që është çështje e Kosovës zbatimi i Kushtetutës”, është shprehur Kusari-Lila.
Ajo ka folur edhe për mundësinë që ndaj Kosovës të vendosen masa të tjera, duke thënë se vendosja e tyre ka qenë absurde herën e parë dhe do të ishte edhe më absurde herën e dytë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për çështjen e dinarit dhe se kanë kërkuar që në proceset që janë të rëndësishme të ketë koordinim me partnerët. “Ne kemi thënë të ketë koordinim ... Nuk dua të besoj që të kemi sanksione të reja. Partneriteti ynë duhet të forcohet sa më shumë”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët nuk kanë qenë kurrë më keq.
“Nuk është problemi që janë rrezikuar marrëdhëniet, problemi është që marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe aleatët kurrë nuk kanë qenë më keq”, është shprehur ai.
Tahiri ka thënë se sa i përket çështjet se dinarit, ai nuk ka vend të qarkullojë në Kosovës deh se valuta e vetme e vendit është euroja.
Ai ka thënë se sanksionet e BE-së ndaj Kosovës duhet të largohen.
“Bashkimi Evropian duhet t’i largojë sanksionet ndaj Kosovës. Këto sanksione nuk janë ndaj Kurtit, nuk janë sanksione politike, ka sanksione ndaj qytetarëve prandaj duhet të hiqen”, është shprehur Tahiri.