Opozita e ka cilësuar joserioze qasjen e kryeministrit Kurtit, i cili kërkon bashkëpunim me opozitën, por deri tani nuk ka adresuar asnjë ftesë zyrtare. Pikat e programit që flasin për dialogun, sipas dy partive kryesore opozitare, nuk ofrojnë kurrfarë qartësie. Kësisoj, para shkuarjes në Bruksel prej kryeministrit është kërkuar që Kuvendit t’ia paraqesë platformën me parime të qarta dialoguese. Një dokument të tillë e ka përgatitur edhe PDK-ja, por që thotë se do ta bëjë publike kurdo që paraqitet nevoja
Gatishmërinë e proklamuar në Kuvend për ta takuar secilin lider të opozitës, kryeministri Albin Kurti nuk e ka shoqëruar edhe me ftesa zyrtare në drejtim të tyre. Veç mungesës së takimeve, në prag të takimit të kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, qeveria ende nuk ka prezantuar një Platformë dhe strategji të dialogut.
Në ekzekutiv nuk kanë treguar nëse Kurti në takim me Vuçiqin do të prezantohet me Platformën dhe nëse do të ketë konsultime me opozitën.
Dy partitë kryesore opozitare e kanë cilësuar joserioze qasjen e qeverisë në raport me dialogun teksa kërkojnë që në Kuvend të prezantohet një platformë me parime të qarta.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, paragrafët e programit qeverisës për dialogun janë të pamjaftueshëm dhe nuk ofrojnë kurrfarë qartësie.
“Qeveria e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk ka qenë më e papërgatitur si përmbajtje në raport me dialogun Kosovë-Serbi. Asnjëherë nuk ka qenë më konfuze dhe e paqartë si vullnet politik dhe asnjëherë nuk ka qenë më e gabuar për ta lexuar drejt situatën ndërkombëtare në të cilën gjendet rajoni dhe bota”, ka thënë Hoxhaj për “Kohën”.
“Sa ka qenë në opozitë, zotëri Kurti duke keqpërdorur temat e politikës së jashtme dhe kauzat e rrejshme i ka përdor për situata të brendshme. Tash zotëri Kurti e ka shansin, detyrën e përgjegjësinë që të tregojë rezon shtetëror në raport me dialogun Kosovë-Serbi, nëse ai i beson shtetit të Kosovës dhe nëse ambicia e tij është për ta anëtarësuar Kosovën në OKB”.
Ai shton se PDK-ja ka përgatitur një platformë për dialogun të cilën kurdo që paraqitet nevoja, do ta publikojnë.
“Së pari, mendojmë se Kuvendi i Kosovës është i vetmi vend ku prezantohet platforma që duhet ta ketë qeveria. Së dyti, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që është detyrë e qeverisë ta udhëheqë një proces të tillë. Së treti, konsensusi nacional arrihet në Kuvend të Kosovës. Aty ne i ballafaqojmë argumentet dhe propozimet. Ne si PDK pothuajse e kemi një platformë të hartuar të cilën kurdo që ka nevojë mund të bëhet publike. Është dokumenti më i plotë që ka ofruar qeveria apo ndonjë subjekt, por po e presim kohën kur do ta publikojmë”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkaq, Teuta Sahatqija nga Lidhja Demokratike thotë se përveç transformimit nga “jo negociata, në vullnet për dialog”, Qeveria nuk ka ofruar qartësi në këtë proces.
“Në qoftë se e lexojmë programin të cilin e ka paraqitur shihet se është i papërgatitur, i dobët i cili nuk ka kurrfarë mase as platformë për dialogun. Deri më tash qeveria nuk ka paraqitur asnjë platformë, asnjë qëndrim rreth dialogut përveç asaj se do të merret me korrigjimet e gabimeve që janë bërë. Mendoj se qeveria Kurti duhet të jetë më serioze dhe e përgatitur në mënyrë që të kenë sukses”, ka thënë Sahatqija.
“Dialogu është çështje të cilën e ka përkrahur LDK-ja, pasi ka interes shteti i Kosovës. LDK-ja nuk ka qenë kundër dialogut, ne jemi për ta ndihmuar Kosovën dhe nga aspekti opozitar të japin kontributin e vet, ashtu siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe vota popullore. Deri më tani, nuk kam informata se ka ftesë për takime, opozita përmendet shkarazi. Nuk shihet ndonjë seriozitet dhe respekt për opozitën nga ana e kryeministri. Kjo nuk është metodë dhe mënyrë e mirë për të ndërtuar kohezion”.
Në debatin për programin e qeverisës të hënën, Kurti tha të hënën se është i gatshëm të takohet me cilindo lider të opozitës, por që energjinë më të madhe tani po ia marrin marrëveshjet e dëmshme që i ka trashëguar prej tyre.
“Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë sime në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju. Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshja për Fusnotën, Marrëveshjet për Gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale e marrëveshje të tjera të dëmshme ju na i latë trashëgim”, ka thënë Kurti në Kuvend.
Por opozita e ka sfiduar kryeministri që nëse i konsideron të dëmshme marrëveshjet t’i shfuqizojë me votë në Kuvend, meqë edhe e ka shumicën.
“Nëse në të kaluarën zotëri Kurti ka pasur vështrim selektiv dhe të qëllimshëm në raport me këto marrëveshje tash është detyrë e tij ta japë mendimin e plotë. Nëse ai ka problem me marrëveshjet e tilla, i ka numrat në Kuvend le t’i sjellë e t’i anulojë. Nëse ai vazhdon dialogun Kosovë-Serbi, mendoj se duhet të jetë serioz, më nuk do të mund t’i ikë përgjegjësisë”, ka theksuar Hoxhaj.
“Çfarëdo që është bërë, është bërë me votat e Kuvendit të Kosovës dhe një shtet serioz dhe çdo qeveri e një shteti serioz nuk i anulon. Por, në këtë rast kemi një qeveri që ka mbi 50 për qind të votave, i ka të gjitha institucionet dhe është mirë të shohim si do të sillet në raport me këto marrëveshje”, ka thënë Sahatqija e LDK-së.
Marrëveshja për Asociacionin ishte nënshkruar në gushtin e vitit 2015, gjatë qeverisjes PDK-LDK.
Por, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të gjithë kapitujt e marrëveshjes duke sugjeruar që përmirësimet të bëhen me rastin e draftimit të statutit. Qeveria Kurti nuk ka treguar se cila do të jetë qasja në raport me këtë marrëveshje.
Mbështetur në program, Qeveria angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe, teksa shpreh synimin që marrëveshja finale t’i trajtojë të gjitha çështjet e pazgjidhura.
“Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore, do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në OKB”, shkruan në programi.
Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, qeveria e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për temat që duhet të bisedohen. Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtar dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë ekspertë të njohur për të kontribuuar në këtë drejtim”, thotë programi.
Paqartësitë dhe mungesa e transparencës e kanë shoqëruar procesin e deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo u konfirmua edhe pas vizitës së kryeministrit Kurti në Bruksel, prej ku tha se informatat e sakta për dialogun e deritashëm i mori vetëm nga emisari Miroslav Lajçak.
Deklarata e kryeministrit Kurti nxiti reagime të opozitës, përfshirë paraardhësin e tij në krye të ekzekutivit.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka insistuar se i ka dorëzuar të gjitha dokumentet, përfshirë edhe dakordimet e arritura.
Më 11 maj BE-ja kishte planifikuar një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, por që është shtyrë për më vonë. Kjo, pasi Kurti deklaroi se nuk është njoftuar paraprakisht për takimin.