Opozita kërkon shmangien e negociatave që për bazë kanë dy dokumentet jozyrtare të publikuara së fundmi, të cilat nuk e përjashtojnë as ndarjen e Kosovës. Zyrtarët e LDK-së thonë se vëmendja duhet të jetë te përmbushja e obligimeve ndërkombëtare – përfshirë Marrëveshjen për Asociacionin – por që, sipas tyre, duhet të bëhet sipas aktgjykimit të Kushtetueses. E PDK-ja e quan lojë taktike refuzimin e Kurtit për takim me Vuçiqin
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka kundërshtuar dy “non-paper”-ët e fundit, duke kërkuar prej Qeverisë që t’u shmanget diskutimeve që implikojnë ndryshim kufijsh dhe e bëjnë jofunksional shtetin e Kosovës.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqija, ka thënë se edhe pse dokumentet jozyrtare nuk kanë autorësi, ato përdoren si testim i terrenit dhe përgatitje për negociatat e ardhshme.
“Duhet të kundërshtohet fuqishëm, sepse rrezikojnë kushtetutshmërinë. Çfarëdo kthimi në para-shpalljen e pavarësisë duhet ta kundërshtojmë. Duhet që në dialog të jetë shtet dhe pjesë aktive. Të mos lejohet shndërrimi i tezave në negociata”, ka thënë Sahatqija në një konferencë për media.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, nuk ka dashur të komentojë për dokumentin “non-paper”, por e ka quajtur lojë taktike refuzimin e Kurtit për takim me Vuçiqin.
“Anulimi është çështje e taktikave të tij, por ai tashmë ka filluar bisedimet dhe kjo është shumë publike dhe shumë e njohur dhe ai duhet të ketë informacion për këto letra”, ka thënë Shala.
E deputeti i AAK-së, Palë Lekaj, ka thënë se do ta monitorojnë 24 orë Qeverinë Kurti dhe do të jenë syçelë për dialogun me Serbinë.
“Këto drafte ‘non paper’ mendoj se duhet t’i analizojmë nga kush kanë ardhur, dihet se në diplomaci këto nuk firmosen nga qeveritë dhe nuk saktësohet nga cili vend. Por, ne nuk guxojmë të hyjmë në analiza derisa nuk kemi një dokument të qartë nga Brukseli”, ka shtuar ai.
LDK-ja ka kërkuar që Qeveria t’i vendosë parimet bazë dhe t’i respektojë rezolutat e Kosovës për dialogun. E pyetur nëse LDK-ja është për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Sahatqija ka thënë se fokusi duhet të jetë te ky mekanizëm.
Marrëveshja për Asociacionin ishte nënshkruar gjatë qeverisjes së Isa Mustafës. Por, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e saj, duke kërkuar që përmirësimet të bëhen gjatë draftimit të statutit.