Komuna e Lipjanit ditë më parë është vlerësuar nga MAPL-ja dhe disa organizata për transparencë të mirë në prokurim publik dhe menaxhim të performancës komunale.
Ndërkohë, ka përfituar një grant prej rreth 320 mijë eurosh të cilat do të shpërndahen për realizim të projekteve kapitale.
Por ky vlerësim është kundërshtuar nga subjekti opozitar PDK, dega në Lipjan me arsyetim se gjatë gjithë vitit ka publikuar fakte se si ekzekutivi ka keqmenaxhuar me paranë publike dhe ka “kurdisur” tenderë në këtë sektor.
Nëpërmjet një komunikate për media, ky subjekt, ka kritikuar se si mund të vlerësohet një komunë me transparencë të mirë në prokurim derisa tenderët po i jepen kompanive të caktuara nga Podujeva me çmime më të larta në krahasim me kompanitë lipjanase.
Sipas PDK-së, tashmë të gjithë e dinë raportin e ekzekutivit të Komunës me disa organizata dhe me disa portale të ndryshme të cilat sipas tyre funksionojnë me mbështetje të ekzekutivit në mënyra të ndryshme.
“Ndërkaq, Ekzekutivi i Komunës gjatë ditëve të fundit është duke u lavdëruar jashtëzakonisht shumë pasi që është përzgjedhur ndër komunat për transparencë në prokurim publik. Po kjo nuk qëndron në realitet sepse ne si opozitë gjatë gjithë kohës për secilin projekt kemi sjellë fakte dhe kemi bërë hulumtime e analiza, sidomos në prokurim publik pasi që kjo qeverisje ka dështuar të jetë transparente me qytetarët dhe me Bizneset”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Sipas tyre në shumë projekte kapitale në sektorin e prokurimit kjo qeverisje ka favorizuar dhe “shpërblyer” në shumicën e rasteve vetëm kompanitë nga Podujeva e në anën tjetër ka eliminuar vazhdimisht kompanitë vendase.
“Rastin konkret e kemi te ndërtimi i shëtitores përgjatë lumit Sitnica ku një kompani lipjanase pati konkurruar me çmime më të lira me mijëra euro, po ashtu edhe në mirëmbajtje të parqeve, e shesheve kjo qeverise vazhdimisht ka shpërblyer me tender kompanitë nga Podujeva, megjithëse ka pasur edhe ofertues më të lirë. Pra, ku është transparenca e prokurimit publik?. Para pak ditësh është lidhur një kontratë e re me një operator për furnizim me dru për të gjitha shkollat”, thuhet më tej në komunikatë. Sipas tyre, në tenderin e druve opozita ka bërë hulumtime se kompania fituese është më e shtrenjtë se tri kompani të tjera.
”Pra krahasimi me kompaninë më të lirë ka një diferencë prej 50 mijë euro gjë që konsiderojmë se është dëmtuar buxheti i taksapaguesve. Pra për të njëjtën sasi dhe cilësi të druve, komuna e Lipjanit e kurdis edhe këtë tender duke ia dhënë një kompanie nga Prishtina tenderin prej 50 mijë euro më çmimin më të shtrenjtë. Edhe për këtë e pyesim Komunën se ku qëndron transparenca e prokurimit publik?”, thuhet në reagim, dike shtuar se nëse kalojnë te transparenca e sektorit të arsimit dhe nëse hynë me një vrojtim në faqen zyrtare të komunës së Lipjanit, të jep përshtypjen se komuna është punëdhënësi më i madh në vend.
“Kjo komunë së fundi ka shpallur dhjetëra pozita për drejtor shkollash. Këto pozita pikërisht janë për ushtruesit e detyrave të drejtorëve të shkollave të cilët aktualisht mbajnë pozitat e tyre por disa prej tyre janë edhe aktivistë dhe udhëheqës së nëndegëve të LDK-së në fshatrat e tyre. Këta u.d-drejtorëve, për shkak të përgatitjeve jo adekuate nuk janë zgjedhur drejtor, por po bëhet mandati i dytë i këtij kryetari ata vazhdojnë të jenë në këto pozita, por tani për habi, kur ky ekzekutiv e ka nuhatur humbjen pas debaklit që pësojë në zgjedhjet nacionale, e tani tenton t’i rehatojë këta militant të vetë”, thuhet në komunikatë.
Sipas PDK-së, do të ishte mirë që ky ekzekutiv t’i hap pozitat e mësimdhënësve të cilët kanë shkuar në pension, me qëllim që të t’i jepej mundësia profesionistëve të japin kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj.
Koha ka provuar të marrë një deklaratë nga kryetari Ahmeti, por ai nuk ka qenë i qasshëm, ndërkohë zyra për informim e Komunës nëpërmjet një publikimi ka njoftuar se Kuvendit i Komunës ka mbajtur seance të jashtëzakonshme lidhur me grandin e përformancës komunale.
“I pranishëm në këtë seancë ishte edhe Kryetari Imri Ahmeti i cili fillimisht ka falënderuar MPL-në dhe DEMOS për vlerësimin si dhe ka përgëzuar ekipin e Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK), për angazhimin që kanë treguar në përformimin e Komunës së Lipjanit. Këto mjete nga granti, sikur edhe ato të kaluarat, do të përkthehen me investime për qytetarët e Lipjanit. Kryetari Ahmeti po ashtu ka thënë se projektet e propozuara nuk janë në buxhet për vitin aktual prandaj i kemi propozuar dhe për shkak të kriterit të Grantit të Përfomancës që kërkohet aprovim i projekteve nga Kuvendi dhe bashkëfinancimi që komuna hynë në këto projekte”, thuhet midis të tjerash në njoftimin e komunës.