Opozita në Ferizaj akuzoi qeverisjen komunale për terr informativ dhe për keqmenaxhim të parasë publike, të ndarë me qëllim të transparencës. Kuvendarë të Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë shprehën vërejtjen se për më se dy vjet, seancat e kuvendit komunal nuk transmetohen për publik, ani se për këtë synim janë ndarë rreth 105 mijë euro
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, në opozitë në Ferizaj, kanë akuzuar ekzekutivin e Komunës për keqmenaxhimin e parasë publike të ndarë për shpenzimet e informimit publik.
Ata, nëpërmjet një konference për media, shprehën vërejtjen që prej mbi dy vjetësh, seancat e Kuvendit Komunal nuk transmetohen në asnjë mënyrë, megjithëse ishin ndarë rreth 105 mijë euro për këtë destinim.
Brahim Osmani, kuvendar nga LVV-ja, tha se seancat mund të transmetohen nëpërmjet faqes zyrtare të Komunës apo ndonjë kompanie mediatike, porse mjetet e ndara janë keqpërdorur nga Ekzekutivi.
“Qeverisjes komunale, e cila është e dobët në projekte, po i konvenon kjo gjendje e territ informativ dhe ata duan ta ulin edhe më shumë nivelin e komunikimit me publikun. Ata nuk duan të japin llogari për dështimet e veta dhe në këtë mënyrë duan që qytetarët të kenë sa më pak qasje në informacionet e mospunës së qeverisjes lokale”, ka thënë Osmani.
Ai e akuzoi qeverisen lokale për shkëputje nga qytetarët derisa paralajmëroi se problemi do t’i adresohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Kërkesë për gjetjen e mënyrave për transmetimin e seancave të Kuvendit në Ferizaj patën adresuar vitin e shkuar edhe nga shoqëria civile.
“Njëra prej kërkesave tona ka qenë dhe vazhdon të jetë çështja e transparencës. Komuna duhet t’i bëjë transparente seancat e Kuvendit, të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me publikun sa herë që zhvillohen seancat apo ndonjë proces i tillë, sepse e ngrit llogaridhënien e tyre dhe transparencën e çdo procesi që ekziston në Komunën e Ferizajt. Pra, në këtë rast ekzekutivi dhe legjislativi duhet t’i marrin parasysh kërkesat që vijnë në drejtim të tillë”, ka thënë Kenan Gashi nga OJQ “Avonet”.
I pyetur nga KOHA rreth çështjes, zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, tha se autoritetet komunale nuk kanë koment rreth akuzave të ngritura nga opozita dhe shoqëria civile.