Arbëri

Opozita akuzon pushtetin në Podujevë për bllokim të Komitetit për Politika dhe Financa

Zyrtarë të të dy partive opozitare në Podujevë po e akuzojnë pushtetin lokal se nuk po e lejon kompletimin e Komitetit për Politika dhe Financa të Kuvendit Komunal. Sipas tyre, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura vitin e kaluar, ku dy anëtarë të KPF-së ishin zgjedhur deputetë të Republikës së Kosovës nga radhët e LVV-së dhe PDK-së, ky organ i Kuvendit ka mbetur me minus dy anëtarë. Ndërkohë që ata thonë se kompletimi i KPF-së është bllokuar nga partia në pushtet, LDK. Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari, thotë se ka kërkuar disa herë që të bëhet plotësimi i Komitetit për Politikë dhe Financa me anëtarë të rinj, porse kjo deri tash nuk ka ndodhur.

“Që nga certifikimi i zgjedhjeve, ne si subjekt politik jemi të hendikepuar me një anëtar më pak në KPF, për arsye se ish-anëtarja jonë në KPF (Floreta Zejnullahu v.j.) tani është deputete në Kuvendin e Kosovës. Unë si shef i grupit kam kërkuar disa herë nga kryesuesi që kjo çështje të vijë në Kuvend dhe të bëhet plotësimi i Komitetit. Premtimet kanë qenë se ‘po, do të bëhet plotësimi’, por kjo nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Fatmir Rudari, raporton KOHA.

Ai tha se edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ka kërkuar që kjo çështje të hyjë në rend dite.

“Aty mora përkrahje edhe nga subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe këshilltari i PSD-së, ku edhe hyri si pikë e rendit të ditës. Mirëpo, mbasi u bënë propozimet nga PDK-ja dhe VV-ja për plotësimin e anëtarëve, atëherë LDK bëri presion tek AAK-ja, na mbivotuan dhe propozimet tona nuk kaluan”, është shprehur shefi i GK të PDK-së. “Unë tash do t’i përdor mjetet e rregullta juridike, ku do të ushtroj një ankesë në MAPL dhe do të kërkoj sqarim për këtë çështje, sepse ky është obligim ligjor dhe na takon që në bazë të përqindjes së votave të kemi përfaqësim në komitete të përhershme të Komunës”.

Edhe Shefi i Grupit të Këshilltarëve të VV-së, Vendenis Lahu, thotë se qe gjashtë muaj prej zgjedhjes deputet të anëtarit të tyre që ka qenë në KPF, Fitim Haziri, nuk është marrë asnjë iniciativë nga Komuna për ta bërë plotësimin e këtij organi më të lartë të Kuvendit.

“Prej zgjedhjes në pozitën e deputetit të ish-përfaqësuesit të LVV-së në KPF të Komunës së Besianës, administrata komunale nuk ka marrë asnjë hap për të përmbushur obligimin ligjor për zëvendësimin e vendeve vakante në KPF. I njëjti rast është edhe me anëtarin e PDK-së. Pra, qe pothuajse 6 muaj nuk është iniciuar zëvendësimi i anëtarëve në KPF, edhe pse ky është obligim ligjor”, ka theksuar Vendenis Lahu. “Në mbledhjen e fundit të KK, ne iniciuam votimin për plotësimin e vendeve të zbrazëta, por u mbivotuam dhe kësisoj u gjendëm në një situatë absurde, pasi që vendet në KPF janë të ndara në bazë të rezultatit zgjedhor. Në ditët e fundit jemi ftuar në një konsultë ne shefat e grupeve parlamentare për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, por nuk arritëm në një dakordim, për shkak se kërkesa e LDK-së nuk kishte bazë procedurale në formën se si ata ofronin zgjidhje”.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, thotë se Kuvendi i Komunës është në proces të rikonstruimit të përbërjes së Komitetit për Politikë e Financa, konform Udhëzimit administrativ të MAPL-së. Por, ai nuk ka treguar pse për kaq muaj ky organ ka mbetur i pakompletuar. Po ashtu, ai nuk ka treguar as cili është problemi se pse nuk kanë mundur të merren vesh në mbledhjen e fundit të kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fatmir Gashi, me shefat e grupeve të këshilltarëve komunale.

“Kjo çështje së shpejti do të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e Kuvendit të Komunës. Si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVI-19, qëkur përbërja e KPF është pa dy anëtarë, Kuvendi i Komunës ka mbajtur vetëm dy mbledhje (njëra e jashtëzakonshme, ku nuk ishte si pikë e rendit të ditës, kurse tjetra e rregullt, e mbajtur më 22 maj, e ku është futur në rend të ditës, por që nuk pati votat e mjaftueshme për t’u bërë plotësimi i përbërjes së KPF-së)”, ka qenë përgjigjja e vetme e zëdhënësit të Komunës së Podujevës.