Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim për tre të dyshuar e të arrestuar të martën, nën dyshimin për shpëlarje të parave e financim të terrorizmit. Bazuar në dosjen e prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, provat tregojnë se njëri nga të dyshuarit ka folur për miliona euro që i ka bartur me veturë
Një prej të dyshuarve për shpëlarje parash, i arrestuar në kuadër të hetimit të realizuar nga Prokuroria Speciale me FBI-në amerikane, pretendohet se ka bartur ilegalisht miliona euro me veturën e tij.
Në kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë ndaj të dyshuarve, janë dhënë detaje për veprat kriminale që organi i akuzës beson t’i kenë kryer të arrestuarit. Në dokument janë përfshirë edhe pjesë të bisedave që kanë realizuar të dyshuarit e në të cilat kanë folur për milionat.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Gjatë bisedës me personin... S. i tregon se si në dorë i ka pasur 3 milionë euro e që nga to i ka fituar 1.250 euro gjysmë për gjysmë me (A. A.), duke shtuar se: ‘Plus kena rreziku, jena shku në Shkup i kena marrë, i kena pru në të zezën këtu. Herën e fundit në kerr i kam pas 1 milion euro, i kam pas 500.000 mijë...”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim.
Prokuroria i është referuar edhe raportit të policisë të 1 qershorit, që përmend rastet e ngjashme të skemave të mashtrimit, ku përmes transaksioneve të dyshimta janë transferuar asete në llogari të ndryshme, përmes kampanjave të mbledhjeve të fondeve të cilat organizohen në platforma të komunikimit. Sipas dokumentit, fonde të tilla kanë përfunduar në grupet terroriste siç janë ISIS-i e Hamasi.
“Të pandehurit në po të njëjtat organizata/kampanja vërtetohet se kanë dërguar-gjeneruar shuma të parave në këto llogari që kanë për qëllim financimin e terrorizmit, e për të cilat pra edhe janë sankisonuar, dhe llogaritë e tilla edhe janë bllokuar për këto arsye”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim.
Një nga të dyshuarit, sipas kërkesës së prokurorisë, ka qenë i dënuar për pjesëmarrje në luftën në Siri, si dhe për posedim të narkotikëve.
Pas përfundimit të seancës dëgjimore lidhur me masën e sigurisë prokurori special, Bekim Kodraliu, ka thënë se në këtë rast u përfshinë shtete të ndryshme.
“Në kuadër të këtij bashkëpunimi juridik ndërkombëtar janë së paku katër shtete me të cilat jemi në bashkëpunim të ngushtë, përpos Gjermanisë e kemi Lihtenshtajnin, Zvicrën, Kanadanë dhe ndihmë të pakursyer të autoriteteve amerikane”, ka thënë prokurori Kodraliu.
Të martën, në operacionin e koduar me emrin “Mega”, janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohen mes tjerash edhe për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, financim të terrorizmit dhe shpëlarje të parave.