Arbëri

OJQ-të: Miratimi i Projektbuxhetit shkel Kushtetutën dhe legjislacionin

Pamje nga mbledhja e Qeverisë, 16 prill 2025

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

15 organizata joqeveritare janë shprehur se vendimi i sotëm i Qeverisë në detyrë për miratimin e projektbuxhetit 2026 bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe Kushtetutën. Kjo për shkak, siç theksuan ato, se votuan personat që janë të certifikuar si deputetë. 

OJQ-të kanë thënë se që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e Projektbuxhetit të jenë në përputhje me legjislacionin, dhe propozuesit të jenë zëvendëskryeministri dhe ministra e zëvendësministra që nuk e kanë edhe pozitën e deputetit. 

“Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 mund të propozohej nga Qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë. Megjithatë, siç kemi theksuar dhe në Letrën e dërguar, ky proces do duhej të zhvillohet në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet”, thuhet në reagimin e tyre. 

Sipas organizatave, çdo veprim që anashkalon ligjin dhe Kushtetutën e cenon vlefshmërinë e Ligjit për buxhetin. OJQ-të theksuan se mënyra si u aplikua të premten nga Qeveria shkel në thelb Kushtetutën, legjislacionin dhe aktgjykimet e deritanishme. 

“Në këta fazë të ndjeshme politike, respektimi i rendit kushtetues dhe vendimeve gjyqësore është thelbësor për te ruajtur stabilitetin institucional dhe për të garantuar që procesi i miratimit të buxhetit mbetet i ligjshëm. Çdo tentativë si kjo e sotmja për të anashkaluar ligjin e Qeverisë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit por edhe vet parimin e sundimit të ligjit në Kosovë”. 

Ndërkaq, për projektligjin dhe pakot e propozuara OJQ-të theksojnë se vërehet se janë përgatitur pa një qasje gjithëpërfshirëse institucionale, “duke e thelluar edhe më tutje krizën politike në vend dhe përfundimisht mos miratimin e tij përmes konsensusit të përbashkët mes gjitha partive politike”. 

“Një qasje e tillë cenon rëndë parimet e demokracisë së këtij vendi sepse po bëhet në periudhën e zgjedhjeve komunale dhe paralajmërimit edhe të zgjedhjeve të përgjithshme”, thuhet në reagim.