Arbëri

Oficerët e Shërbimit Korrektues që do të trajnohen në Danimarkë kërkojnë që të mos u ndalet paga në Kosovë

Një grup prej 16 zyrtarësh të Shërbimit Korrektues të Kosovës të hënën do të nisë trajnim 6-mujor në Danimarkë, në kuadër të marrëveshjes për sistemimin e të burgosurve danezë në Kosovë, nga viti 2027. Por, ata iu drejtuan me kërkesë Shërbimit Korrektues që gjatë trajnimi të mos u pezullohen pagat nga institucionet e Kosovës. Për këtë, në Shërbimin Korrektues thanë se janë në pritje të vendimit të zyrës ligjore për të përcaktuar nëse ka bazë ligjore apo jo për pezullimin e pagës së tyre të trajnimit

Të hënën e javës së ardhshme, 16 oficerë të Shërbimit Korrektues të Kosovës nga qendra në Gjilan, do të nisen drejt Danimarkës për një trajnim gjashtëmujor në Danimarkë.

Trajnimi është pjesë e përgatitjeve për funksionalizimin e marrëveshjes Kosovë–Danimarkë, në kuadër të së cilës Kosova do të pranojë nga viti 2027 rreth 300 të burgosur që ndodhen në burgjet daneze.

Gjatë trajnimit, ata nga shteti danez do të marrin pagë mujore prej 4 mijë e 200 eurosh. E rrogat në Kosovë, prej rreth 650 eurosh, pritet që t’u pezullohen.

Për këtë, grupi prej 16 oficerësh iu drejtua Shërbimit Korrektues me kërkesë që rrogat të mos u ndërpriten, teksa thanë se angazhimi i tyre është për përfaqësim të shtetit dhe të institucionit.

“Jemi njoftuar se gjatë qëndrimit tonë jashtë vendit, kompensimi ynë në formën e pagës bazë do të ndërpritet. Kjo masë është e papërballueshme për shumë prej nesh, për arsye se të gjithë mbajmë familjet tona ekskluzivisht me të ardhurat nga paga që marrim në Shërbimin Korrektues. Përveç punës sonë në institucione, shumë nga ne ushtrojmë edhe punë të dyta për të përballuar kostot e jetesës”, thuhet në kërkesën të cilën e ka siguruar KOHA.

Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues, tha se ka pranuar kërkesën dhe se për çështjen do të diskutohet edhe me zyrtarë në Ministrinë e Financave.

“Personeli i Shërbimit Korrektues është duke e trajtuar në detaje këtë shqetësim, këtë çështje. Pagat janë shumë më të mira, shumëfishë më të larta sesa pagat e oficerëve këtu dhe natyrisht ata do të kenë mundësi që t’i mbulojnë shpenzimet... Komplet çështja e vendosjes do të jetë asistencë, do të jetë pala daneze, komuniteti drejtues i shtetit danez, i cili do të asistojë në vendosjen, sistemimin deri në përfundim të trajnimit. Një pjesë të shpenzimeve atje do t’i paguajë oficerët, sepse këta do të paguhen sipas ligjit danez atje, sa do të jenë në Danimarkë”, ka thënë Dibrani.

Ligji për Zyrtarë Publikë e parasheh pezullimin e pagave për zyrtarë civilë gjatë kohës së trajnimeve jashtë vendit, porse e njeh përfitimin prej 50 për qind të vlerës së saj.

Në Shërbimin Korrektues thanë se janë në pritje të vendimit të zyrës ligjore për sqarimin nëse ka bazë ligjore apo jo për pezullimin e pagës së 16 oficerëve, që do të trajnohen në Danimarkë për 6 muaj.

Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027. Transferimi i tyre është pjesë e marrëveshjes dhjetëvjeçare mes Kosovës e Danimarkës, që e parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.

Kuvendi e ka ratifikuar marrëveshjen më 23 maj të 2024-tës, dy vjet pasi nënshkrimit të saj. Sipas marrëveshjes, personat që do të transferohen nuk do të jenë shtetas të Danimarkës.

Më herët, Ministria e Drejtësisë e Danimarkës kishte deklaruar se të burgosurit të cilët do t’i dërgojë në burgun e Gjilanit janë persona të dënuar me dëbim nga Danimarka.

Ata nuk do të jenë të dënuarit për krime lufte, terrorizëm, apo persona me çrregullime të rënda mendore. Në këmbim të këtij transferimi, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro. Një pjesë do të investohet në Shërbimin Korrektues, ndërsa pjesa tjetër në energji të ripërtërishme.

Sipas marrëveshjes, Danimarka ka premtuar një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh për të mbuluar periudhën e tranzicionit, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes deri në funksionalizimin e plotë të burgut. Pas kësaj, pagesat do të bëhen çdo tre muaj, në varësi të numrit të të burgosurve të pranishëm në institucion.