Një shumë e përafërt me mjetet e avulluara para 10 ditësh, që për destinim kishin shpenzimet për Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit, është rikthyer në xhirollogarinë e Odës Ekonomike të Kosovës.
Sipas burimeve të KOHËS, njëri prej gjyqtarëve është informuar gojarisht se mjetet janë të destinuara për Tribunalin që po e trajton kontestin midis një kompanie me prejardhje amerikane dhe Telekomit të Kosovës. Porse origjina e mjeteve nuk është zbuluar.
Transaksioni është realizuar 10 ditë, pasi KOHA raportoi mbi tërheqjen e rreth 150 mijë eurove që kanë qenë të dedikuara për rastin e Tribunalit.
Edhe tani ka dyshime për mënyrën se si është realizuar transferi. Në kopjen e transaksionit, të cilën e ka siguruar KOHA, figuron vetëm shuma e deponuar prej 160 mijë e 715 eurosh.
Dyshime për transaksionin kanë ngritur gjyqtarët e rastit, të cilët kanë thënë se nuk janë në dijeni të realizimit të tij. Gjyqtari Enver Hasani, thotë se pavarësisht se kush e ka bërë deponimin, transaksioni është bërë kundërligjshëm.
“E kam fjalën me supozim se janë deponuar për qëllime të mbarëvajtjes së procedurës, ku unë jam njëri prej tre arbitrave të Tribunalit të Arbitrazhit. Kjo duhet të bëhet me vendim të veçantë të Tribunalit të Arbitrazhit. OEK-ja nuk e ka një të drejtë të tillë, sepse një veprim i tillë përbën ndërhyrje në drejtësi, si dhe vepër të pastër penale. Askush nuk guxon të veprojë në emër të Tribunalit”, ka thënë Hasani.
Ai ka theksuar se asnjëherë në të kaluarën nuk ka ndodhur harxhimi i mjeteve dhe më pas rikthimi i tyre, nga burime të tjera, jashtë palëve.
“Për aq sa e di unë, asnjëherë deri më sot nuk ka ndodhur harxhimi i mjeteve dhe më pastaj rikthimi i tyre nga burime të tjera jashtë palëve. U mor vesh, kjo nëse ndodh duhet të ketë një vendim të Tribunalit, me të cilin jepet arsyetimi i detajuar për arsyet e rikthimit të mjeteve dhe të origjinës së tyre. Pikërisht për shkak se ka pasur harxhim joligjor të mjeteve, unë në emër të Tribunalit të Arbitrazhit kam bërë kallëzim penal, për çka tanimë dihet”, ka shtuar gjyqtari Hasani.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, porse ai nuk është përgjigjur. Kur KOHA e trajtoi këtë çështje javën e shkuar, ai kishte pretenduar se mjetet janë në xhirollogari. Por kjo gjë ishte mohuar nga gjyqtarët e Tribunalit.
Paratë e tërhequra kanë qenë të deponuara si paradhënie nga pagesat e paditësit – kompania “Intercom Joint Ventures ” - dhe të paditurit - Telekomi i Kosovës.
Sipas pretendimit nga kompania që ofron shërbime të IPTV-së, Telekomi nuk i është përmbajtur kontratës, pasi që ka shfrytëzuar shërbimet ndërsa nuk i paguar.
Me anë të padisë, kompania në arbitrazh i kërkon 10 milionë euro.