Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin për protestat e kompanive transportuese në shtetet e rajonit të cilat sipas Odës po shkaktojnë pasoja serioze për funksionimin normal të bizneseve në Kosovë.
Sipas OEK-ut këto zhvillime po ndikojnë në pamundësimin e eksportit e importit të mallrave drejt Bashkimit Evropian dhe po ndikojnë në ndërprerje të furnzimit.
“OEK shpreh shqetësimin e saj lidhur me protestat e kompanive transportuese në shtetet e rajonit, të cilat tashmë po shkaktojnë pasoja serioze për funksionimin normal të bizneseve kosovare dhe për rrjedhën e tregtisë ndërkombëtare. Këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian, duke krijuar vonesa të konsiderueshme, kosto shtesë për kompanitë dhe rrezik real për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës në Facebook.
OEK-u me këtë rast i ka bërë thirrje BE-së për ndërhyrje urgjente në mënyrë që të mundësohet funksionimi normal i transportit ndërkombëtar rrugor, deri në krijimin e një zgjidhjes së përhershme.
“Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian për ndërhyrje urgjente institucionale që do të mundësonte funksionimin normal të transportit ndërkombëtar rrugor deri në krijimin e një zgjidhjeje të përhershme. Një qasje e tillë është në interes të përbashkët të ekonomive të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor dhe përbën një parakusht për stabilitet ekonomik, integrim tregtar dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal”, thuhet mes tjerash në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës.
Shoferë kamionësh në Ballkanin Perëndimor bllokuan dhjetëra pika kufitare të hënën, në shenjë proteste për rregullat e reja të hyrjes të Bashkimit Evropian (BE), për të cilat thonë se kanë dëmtuar punën e tyre.
Kolona të gjata kamionësh u formuan në pikat kufitare të transportit të mallrave në Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, në një veprim të koordinuar në këto katër vende.
Bllokada përfshiu gjithashtu portin e Barit në Mal të Zi, në Detin Adriatik.