Arbëri

Oda Ekonomike përsërit thirrjen për pezullim të daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë

Rryma - transmisioni - energjia elektrike - zrre - largperquesit

Në prill bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, krahas vendimit për shtrenjtim të rrymës, njoftoi se nga 1 qershori bizneset që i përmbushin kriteret do të kalojnë në treg të hapur të energjisë

Foto: Driton Paçarada

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kanë ritheksuar kërkesën që të pezullohet dalja në treg të lirë të energjisë. 

Është shprehur shqetësimi i thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, duke thënë se po shëndrrohen në barrë të papërballueshme për sektorin prodhues. 

Oda Ekonomike ka thënë se sipas të dhënave zyrtare, bizneset prodhuese të obliguara që të furnizohen në tregun e lirë kanë paguar 162 euro për MWh në qershor të vitit 2025 dhe 203 euro për MWh në korrik të vitit 2025. E në të njëjtën periudhë është thënë se konsumatorët në furnizim të rregulluar kanë paguar 65-75 euro për MWh. 

“Ky dallim i pajustifikuar, mbi 3 herë më i lartë për prodhuesit, ka sjellë pasoja të rënda për konkurrueshmërinë e fabrikave tona dhe i ka vendosur prodhuesit kosovarë në pozitë të pabarabartë në raport me sektorët e tjerë të brendshëm dhe konkurrentët rajonalë. Në kulmin e verës, kur normalisht pritet ulje e çmimeve, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord. Kjo ngre alarmin se në periudhën e dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të kalojnë edhe 300 €/MWh, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme si: mbyllje të fabrikave, humbje të mijëra vendeve të punës, rrëzim të prodhimit vendor dhe rritje të varësisë nga importet”, ka thënë OEK. 

OEK dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kanë theksuar se pezullimi i menjëhershëm i daljes në treg të lirë të bizneseve është hapi i vetëm i drejtë dhe i domosdoshëm. 

“Për këto arsye, Oda Ekonomike e Kosovës me Shoqatën e saj të Prodhuesve të Kosovës ritheksojnë me ngulm kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të daljes së detyrueshme në tregun e lirë. Ky është hapi i vetëm i drejtë dhe i domosdoshëm për të mbrojtur prodhimin vendor dhe për të shmangur një krizë ekonomike të shkaktuar nga faturat e energjisë. Energjia elektrike nuk është thjesht një produkt tregu, është faktori themelor për mbijetesën e industrisë vendore. Pa ndërhyrje të shpejtë, rrezikohet seriozisht baza prodhuese dhe e ardhmja ekonomike e vendit”. 

Në prill bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, krahas vendimit për shtrenjtim të rrymës, njoftoi se nga 1 qershori bizneset që i përmbushin kriteret do të kalojnë në treg të hapur të energjisë.

Deri të mërkurën, kompanitë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, janë furnizuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF). Për këtë furnizim të përkohshëm është përcaktuar se nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe ofrohet me çmime më të larta sesa ato të tregut mesatar. Afati prej 60 ditësh ka skaduar me përfundimin e së mërkurës.

Rreth 1 mijë e 300 biznese që plotësojnë kriteret për treg të hapur të energjisë.