Arbëri

Nyja rreth statusit e pamundësoi shterimin e praktikave ndërkombëtare për zgjedhjet e Serbisë

Mospajtimi rreth statusit të Kosovës po konsiderohet nyja që e pamundësoi shterimin e praktikave ndërkombëtare, të cilat do t’u mundësonin serbëve të Kosovës të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit.

Kështu vlerësojnë njohës të proceseve zgjedhore, të cilët kanë folur për modalitetet që aplikojnë shtetet e tjera, e që sipas tyre, do të mund të konsideroheshin edhe për zgjedhjet e Serbisë.

Por Serbia, që nuk ia njeh pavarësinë Kosovës, refuzoi t’i ndjekë kanalet e komunikimit ndërshtetëror.

“Atëherë kur shtetet janë mes vete në raporte miqësore, bashkë-ekzistencës paqësore, kultivimit të demokracisë dhe paqes merren vesh me marrëveshje bilaterale që t’i kryejnë disa veprime të cilat nuk mund t’i kryejë këtë rast Serbia në Kosovë, siç është mbledhja e votave, grumbullimi i tyre. Përkundër faktit që ne kemi një legjislacion dhe ata qytetarë, në këtë rast të Serbisë që kanë edhe shtetësi të Kosovës, nuk privohen nga e drejta e tyre, por do të kishin mundësi që të votojnë përmes postës, përmes zyrës së tyre diplomatike apo shkuarjes së tyre në një zyre tjetër në Serbi - njëjtë sikurse mund ta bëjnë atje në cilindo qytet ku e kanë bazën e tyre elektorale”, ka thwnw Mazllum Baraliu, ish-kryetar i KQZ-së.

Instrumentet ndërkombëtare ligjore nuk i obligojnë shtetet që të organizojnë votim për qytetarët jashtë vendit dhe është në diskrecion të secilit vend të zgjedhë nëse dëshiron të organizojë votimin nga jashtë. Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka nxjerrë hulumtime në të kaluarën përkitazi me metodat që shtetet i përdorin për organizimin e zgjedhjeve jashtë vendit.

“Në këtë rast kemi shtete si Italia, Belgjika, Finlanda, Franca e shumë shtete të tjera të cilat përdorin mënyra të ndryshme siç janë: votimi përmes internetit, votimi përmes aplikimit për votim, votimi përmes postës dhe votimi përmes ambasadave apo përfaqësive të ndryshme diplomatike. Kështu që besoj se ka zgjidhje të ndryshme të praktikave të cilat mund t’i përdorim në qoftë se Serbia dëshiron t’i mbajë zgjedhjet me personat që kanë shtetësinë e tyre në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Allen Meta nga Instituti Demokraci për Zhvillim.

Përveç Kosovës, zgjedhjet e Serbisë shkaktuan polemika edhe në Mal të Zi që fillimisht refuzoi lejimin e tyre. Por ministri i Punëve të Jashtme, Gjorgje Raduloviç, më pas deklaroi se ranë dakord për të lejuar hapjen e pesë qendrave të votimit.

dhe Baraliu vlerësojnë se praktika e mëhershme në të cilën insistoi Serbia edhe për këto palë zgjedhje ka qenë jokushtetuese. Për llogari të Serbisë, misioni i OSBE-së kishte organizuar procesin e votimit, ku votat e grumbulluara më pas ishin dërguar për numërim në qytetet kufitare të Serbisë.

Pas dështimit që të arrihet marrëveshje mes dy qeverive për modalitetet e zgjedhjeve, presidenti serb dramatizoi duke thënë se Kosova po përgatit sulm ndaj Serbisë. Edhe serbët organizuan një protestë në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë. Reagoi edhe QUINT-it duke e quajtur zhgënjyes faktin se serbëve iu pamundësua të votojnë duke thënë se, kjo qasje e qeverisë minon aspiratat evropiane të Kosovës.