Arbëri

Nuza: 7 nga 10 gra që bëjnë biopsi brenda javës në Radiologji, rezultojnë me kancer të gjirit

Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shkëndije Nuza, ka thënë se nga 10 gra që bëjnë biopsi brenda javës në këtë klinikë, të paktën shtatë prej tyre rezultojnë të kenë kancer në gji.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Nuza këtë shifër e ka konsideruar shqetësuese. 

“Brenda një jave, së paku 8-9 gra që i bëjnë që u bëjmë biopsi të gjirit, nga të gjitha këto gra, pra në 10 gra që bëjnë biopsi në Klinikën e Radiologjisë, së paku shtatë prej tyre rezultojnë përfundimisht me kancer të gjirit. Është shifër shqetësuese, kemi sade të hershme, por jo aq sa ne do të dëshironim”, ka thënë ajo. 

Në muajin e ndërgjegjësimit për kancer të gjirit, Nuza ka thënë se në këtë periudhë kohore zakonisht rritet fluksi i grave që kërkojnë mamografi.

“Periudha kohore që duhet bërë mamografia është 10-ditëshi i parë i fillimit të ciklit. Efekti hormonal e bën gjirin shumë më të ndejshëm. Me mamografi qëllimi është të diagnostikohet kanceri i gjirit kur ende është i paprekshëm dhe i padukshëm qoftë me palpim, apo me vërejtje të strukturës së gjirit. Qëllimi me mamografi është të diagnostikohen stadet e hershme të kancerit të gjirit. Mamografi dhe ultrazëri i gjirit janë metoda plotësuese për njëra-tjetrën. Është ngritur jashtëzakonisht shumë vetëdija, por ende është e ulët në krahasim me gjetjet të cilat i kemi. Kemi mosha shumë të reja që diagnostikohen në stad shumë të vonshëm. Ka shumë rritje të kërkesës. Në tetor të vitit të kaluar kemi pasur rreth 900 mamografi që janë bërë në QKUK dhe me mamografin mobil”, ka thënë ajo. 

Nuza ka theksuar se aktualisht lista e pritjes nuk ka më shumë se 10 gra.