Opozita parlamentare u shpreh e revoltuar me refuzimin e Kryesisë së Kuvendit për zgjatjen e mandatit të Komisionit hetimor për rezervat shtetërore, duke e cilësuar si precedentin më të rrezikshëm për demokracinë në vend. E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sqaroi interpretimin ligjor të Zyrës së Kuvendit sipas të cilit një komisioni të tillë nuk i takon mandat më i gjatë se gjashtë muaj
Kryesia e Kuvendit të premten nuk e ka aprovuar kërkesën e opozitës për zgjatjen e mandatit të Komisionit hetimor për rezervat shtetërore. Opozita parlamentare u shpreh e revoltuar me këtë refuzim të cilin e vlerësoi si precedentin më të rrezikshëm për demokracinë në vend.
“Sot është njëra prej ditëve më të këqija të parlamentarizmit në Kosovë. Me insistimin e Lëvizjes Vetëvendosje sot merr fund përfundimisht njëra prej shtyllave kryesore të demokracisë që është mbikëqyrja parlamentare. Nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë shumicë parlamentare që të sabotojë qëllimisht një komision dhe në fund të pamundësojë vendimmarrjen në atë komision parlamentar”, u shpreh kryetari i grupit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
E kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se qëndrimi i pushtetit në mbledhjen e Kryesisë sa i përket Komisionit Hetimor do ta ngufasë demokracinë parlamentare.
“Sot u vendos një precedent më i rrezikshmi për demokracinë. Nuk iu zgjat afati një komisioni hetimor i cili e trajton një temë tepër problematike. Andaj shihet këtu saktësisht që tendenca është në secilën aferë korruptive ku ka nevojë për diskutim publik me e ndalë krejt”, u shpreh Tahiri.
Por, në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ishte interpretimi ligjor i Zyrës së Kuvendit që theksonte se një komisioni të tillë nuk i takon mandat më i gjatë se gjashtë muaj.
Por, ndryshe nga grupi parlamentar i LVV-së, ai tha se është pro shtimit të mandatit edhe për tre muaj të tjerë, veçse për këtë duhet të ketë dakordim të opozitës me pushtetin.
“Sa i përket moszgjatjes së mandatit, kjo ishte interpretim i Zyrës Ligjore që e kemi në Kuvend këtu brenda. Ata në atë mënyrë po e interpretojnë ligjin, sepse po thonë që Komisioni Hetimor Parlamentar vetëm 6 muaj ka mandat. Por, mendoj që nëse do të kishte vullnet dhe marrëveshje politike nuk do të ishte kurrfarë problemi t’i shtoheshin edhe 3 muaj komisionit hetimor”, ka thënë Konjufca.
Pos kësaj kërkese në Kryesi të Kuvendit në rend dite ishin edhe tri pika që përfshinin themelimin e tri komisioneve hetimore në një seancë të re. Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, nuk e mohoi se do të vlejë kushtëzimi që, para se pushteti t’i japë votat për themelimin e këtyre komisioneve, opozita duhet të përcaktohet qartë nëse është pro zgjedhjeve.
“Po kërkojmë qartësi. Çka është më e rëndësishme? Është më e rëndësishme shkuarja në zgjedhje tani apo hetimi i vazhdueshëm ndaj proceseve me të cilat është ballafaquar ekzekutivi”, ka thënë Kusari.
Mirëpo kryeparlamentari duke u zhveshur nga pozita që mban në Vetëvendosje tha se është kundër këtyre kushtëzimeve që po bllokojnë punën e Kuvendit.
“Unë si kryetar i Kuvendit e shpreh konceptin tim, qëndrimin tim që komisionet hetimore parlamentare nuk duhet të pengohen në Kuvendin e Kosovës. Nëse kjo bëhet precedent, atëherë mendoj se në mënyrë afatgjate dëmtohet Kuvendi dhe parlamentarizmi në shtetin tonë”, ka thënë ai.
Për shkak të kushtëzimeve të vazhdueshme që janë vendosur mes pushtetit e opozitës ka muaj që kanë mbetur pa u votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Kushtëzimin e ri të vendosur nga shumica Kusari tha se nuk e sheh si bllokadë për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Ne nuk jemi duke u munduar të bllokojmë asgjë, ne vetëm po duam të kemi një qartësi në proces”, u shpreh ajo.
Kryesia ka vendosur që javën e ardhshme të mbahen tri seanca.