Sjellje të re nga partitë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, presin njohës të çështjeve politike. Ata thonë se rezultati mund të ndryshojë krahasuar me atë të shkurtit dhe nuk e përjashtuan mundësinë e një koalicioni qeverisës LVV-PDK
Pritje për befasi si në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme, ashtu edhe në koalicionet paszgjedhore, kanë shprehur të shtunën njohës të çështjeve politike.
Analisti Afrim Kasolli, i cili ka qenë deputet në një mandat, ka thënë se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit mund të ndodhë koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike (PDK). Por, ka theksuar se do t’u duhet kohë të dyja subjekteve politike që të justifikohen para elektoratit për lidhjen e marrëveshjes qeverisëse.
“Nuk përjashtohen skenarët e një bashkëpunimi (LVV-PDK v.j.), duke e përdorur rezultatin zgjedhor si pretekst për tu justifikuar para bazës së tyre elektorale që pavarësisht dëshirës dhe vullnetit tonë kjo u shtrua si një domosdoshmëri politike”, ka thënë Kasolli.
Zyrtarët e lartë të PDK-së janë deklaruar deri tash kundër koalicionit me Vetëvendosjen, ndërkaq edhe kjo parti e ka mbajtur në fuqi “vijën e kuqe” për PDK-në. Por, pas zgjedhjes së Bedri Hamzës kryetar, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka uruar dhe ka folur për mundësinë e “bashkëpunimit të ndërsjellë”. Por, në këtë parti nuk treguan nëse vlen qëndrimi për të mos bashkëqeverisur me PDK-në.
Ndërkaq, edhe ditën kur u zgjodh, e edhe të premten, Hamza tha se nuk do të ketë vija të kuqe për bashkëqeverisje me ndonjë parti.
Analisti politik, Adrian Zeqiri, ka shprehur pritjen se pas zgjedhjeve do të shemben barrierat e bashkëpunimit mes partive kryesore.
“Pres një ndryshim të rezultatit, jo në përmasa substanciale, mirëpo në demokracitë parlamentare ndryshimet e vogla sjellin ndryshime të mëdha, kështu që mund të ketë edhe surpriza, kjo nën një. Nën dy, ndoshta partitë politike duke përfshirë partinë më të madhe, kanë reflektuar dhe ndoshta ato vijat e bashkëpunimit mes partive politike do të tejkalohen. Është e mundur edhe kjo”, ka thënë Zeqiri.
Por, Zeqiri thekson se kriza e gjatë institucionale e krijuar që nga zgjedhjet e shkurtit do të mund të prodhojë ndryshime në orientimin e votuesve në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit. Sipas tij, kjo krizë mbi 10-muajshe mund të luajë rol edhe në pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve në zgjedhje, gjë që mund ta ndikojë edhe rezultatin.
“Do të ketë të papritura në zgjedhjet e jashtëzakonshme edhe për faktin që kemi pasur një periudhë gati 1-vjeçare ku nuk ka funksionuar asgjë. Qytetari dhe votuesi për mendimin tim e ka ndarë mendjen se kush i ka fajet, njëra apo tjetra palë ,për ngërçin institucional që ka ndodhur. Ose në atë masën tjetër do të refuzojë të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Do të ketë dalje më të paktë”, ka thënë Zeqiri.
Megjithatë, analisti Kasolli thotë se qëllimi i Vetëvendosjes është të rikthejë mbështetjen e vitit 2021 për të arritur 50 për qind të votave, ndërsa partitë e tjera që mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, e kanë synim ta zbresin LVV-në nën 40 deputetë.
“Lëvizja Vetëvendosje shihet qartë se tenton ta ringjallë atmosferën e vitit 2021 që të arrijë numrin prej 50 për qind të votave, ndërkohë që këto subjektet tjera politike intencë kryesore e kanë mbase se mos mund t’ia arrijnë që ta zbresin LVV-në nën 40 deputetë. Atëherë në bazë të këtyre rezultateve do të zhbllokohej situata në dy drejtimet. Në njërën anë nëse LVV i merr 50 për qind, do ta formonte Qeverinë, në anën tjetër edhe subjektet tjera parlamentare nëse arrijnë ta zbresin nën 40 deputetë, nuk do të ishte problem edhe tema e presidentit në muajin mars”, ka deklaruar Kasolli.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Vetëvendosja i bëri dy herë ftesë për koalicion Lidhjes Demokratike, e cila e pati refuzuar. Kjo parti nuk shprehu gatishmëri as për koalicion qeverisës pa fituesin e zgjedhjeve.