Arbëri

Njohësit: Zbatimi i verdiktit të Kushtetueses, i paalternativë

Deputetët do t’i kthehen punës pas publikimit në Gazetë Zyrtare të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur që një kandidat për kryetar Kuvendi mund të propozohet vetëm tri herë. LVV-ja e ka kundërshtuar këtë vendim, duke akuzuar gjykatën për devijim të rolit kushtetues, e PDK-ja i ka dhënë të drejtë. Njohës të zhvillimeve politike dhe juristë kërkuan zbatimin e detyrueshëm të aktgjykimeve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’u kthehen seancave plenare pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

E deri atëherë, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar se si do të veprojë tutje, përkundër reagimeve të ashpra që pati në ditën e publikimit të njoftimit mbi aktgjykimin nga kjo Gjykatë.

“Nuk na e ndalon diskutimin (vendimi)... për veprimet politike, mbetet të shihet arsyetimi i plotë”, ka thënë Adnan Rrustemi, eksponent i LVV-së.

Një nga pikat që po konteston kjo parti është ai për kufizimin deri në tri herë të një kandidati për kryetar Kuvendi.

“I ka marrë mandat që i takon Kuvendit me këtë kufizim që ka bërë për kandidatin, një devijim i tillë i rolit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese përbën rrezik për rendin kushtetues. Pikërisht pse është instanca e fundit, Kushtetuesja i ka dhënë komoditetin vetes të jetë arbitrare në interpretim”, ka thënë Rrustemi.

Por, sipas deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta kufizuar deri në tri herë votimin e kandidatit të njëjtë për kryetar të Kuvendit bazohet në parimet dhe metodat e interpretimit kushtetues.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përdorur metodën e analogjisë për të vendosur kufirin prej tri votimesh, duke u mbështetur në tri raundet e parashikuara nga Kushtetuta e Kosovës për zgjedhjen e presidentit dhe praktikat e kushtetutave të vendeve evropiane që kanë kufizime të ngjashme. Numri tre nuk është zgjedhur rastësisht, por mbi baza logjike dhe krahasimore të pranuara në doktrinën kushtetuese”, ka thënë Gruda.

Sipas njohësit për çështje politike, Shemsi Jashari, veprimet e para të partisë fituese, tregojnë mungesë gatishmërie për të zbatuar vendimin e Gjykatës.

“Ka qenë shqetësuese reagimi i djeshëm i tyre në kor... qëndrimi zyrtar i LVV-së ku atakon Gjykatën Kushtetuese dhe shpreh mospajtim me vendimin që e ka nxjerrë”, ka thënë Jashari.

E avokati Ardian Bajraktari thekson se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar.

“Sa i përket çështjes se a do të zbatohet ose jo vendimi, natyrisht aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme që të zbatohen nga ana e akterëve, të cilët iu adresohet. Diskutimet mund të bëhen përkitazi me aktgjykimet. Në instancë të fundit ato duhet të zbatohen pasi është jashtëzakonisht shqetësues moszbatimi eventual i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Bajraktari.

Në njoftim të Gjykatës thuhet se deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht, të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Sipas tij, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.