Arbëri

Një shtëpi e pabanuar në kryeqytet është bërë strehë e përdoruesve të drogave

Në fletushkat që gjenden në dysheme, është mesazhi për shpëtim nga vërsia e drogës. Por, duket se mesazhi nuk ka pasur efekt. Në një shtëpi të pabanuar në Prishtinë ndodhet numër i madh i shiringave të hedhura. Shtëpia gjendet në rrugën “Hajrullah Abdullahu”.

Shtëpia prej vitesh është kthyer në strehë për përdoruesit e substancave narkotike.

E, qytetarët që banojnë afër ankohen se ajo u është shndërruar në makth.

"Normal, Komuna duhet të vijë dhe ta shikojë pasi ky problem është për një kohë të gjatë e jo vetëm për një kohë të shkurtër, por edhe për një kohë të gjatë që është e braktisur dhe shkojnë narkotikët aty", thotë Elfete Kamberi, një banore e kësaj lagje.

Banorë të tjerë thanë prapa kamerës se përdoruesit e drogave frekuentojnë shtëpinë, meqë ajo është afër qendrës rehabilituese “Labyrinth”, tek e cila furnizohen me shiringa.

Udhëheqësi i qendrës, Safet Blakaj, tha se organizata i furnizon me shiringa, por me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik. Sipas tij, në kryeqytet ka edhe ambiente të tjera sikur ky.

"Në të kaluarën ka pasur dhjetëra këso lloje vendesh nëpër të gjitha lagjet e Prishtinës, tash janë tejet të zvogëluara. Së fundi, sa jemi të informuar, ekzistojnë dy-tri. Natyrisht janë përpjekjet tona të mos i shfrytëzojnë banorët, ne shpeshherë edhe i pastrojmë ato vende ku mblidhen përdoruesit e drogave", tha Blakaj.

Sipas banorëve, shtëpia është pronë e një serbi, i cili ka vite që është larguar. Prandaj, kërkojnë nga institucionet që të intervenojnë.

Por, në Komunën e Prishtinës thanë se prejse ka ndërruar pushteti fundvitin e shkuar nuk kanë pranuar ndonjë ankesë për këtë lokacion. E për të intervenuar aty, thanë se, u duhet pëlqimi i pronarit.

"Duhet ta kemi një ankesë, kërkesë me shkrim, e protokolluar dhe pastaj ne mund të veprojmë. Për arsye se është pronë private, do të thotë se duhet ta pranojmë ankesën apo kërkesën prej banorëve për ta protokolluar në Komunë. Komuna pastaj e përcjell te drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ne i ndërmarrim hapat", tha Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Sipas OJQ-së “Labyrinth”, që merret me aspekte të këshillimit e trajtimit të përdoruesve të drogave, në Kosovë janë rreth 40 mijë përdorues të substancave narkotike.