Rrëzimi i një autovinçi në një vendpunishte në Ferizaj shkaktoi vdekjen e një 27-vjeçari dhe lëndimin e një punëtori tjetër. Policia rajonale në këtë komunë konfirmoi se mjeti nuk ishte fiksuar siç duhet, çka çoi në aksidentin tragjik. Teksa, përfaqësues të organizatave joqeveritare e konsideruan shqetësuese rritjen e rasteve të tilla, duke kërkuar masa më të rrepta për sigurinë në punë.
Një 27-vjeçar ka vdekur si pasojë e lëndime të marra nga rrëzimi i autovinçit me të cilin po punonte në një vendpunishte në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.
Sipas informacioneve të dhëna në Policinë e Ferizajt, lëndime ka marrë edhe një 37 vjeçar, teksa theksuan se rasti ka ndodhur gjatë së shtunës rreth orës 11 e 45 minuta.
“Rasti ka ndodhur në një autovinç, ku nuk është fiksuar për kamionete mjaftueshëm dhe pesha ka anuar në njërën anë, me ç’rast kamioneta është gjysmërrotulluar dhe është rrëzuar mjeti”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë.
Punëtori tjetër që mori lëndime gjatë aksidentit, sipas Policisë, pas pranimit të tretmanit mjekësor në Spitalin e Ferizajt është liruar për në shtëpi, teksa thuhet se gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Nga janari i 2025-s e deri në qershor, sipas Inspektoratit të Punës, janë regjistruar 268 aksidente në vendin e punës, prej së cilave 7 kanë përfunduar me fatalitet.
Për këtë, në Qendrën për Politika dhe Avokim kanë vlerësuar se siguria në vendin e punës në Kosovë është e ulët.
Drejtori për Zhvillim dhe Hulumtim, Gersi Gashi, ka thënë se situata me aksidente në vendpunishte është alarmante, teksa përgjegjësia kryesore mbetet te punëdhësit.
“Në asnjë pikë nuk i vihet faji punëtorit, qoftë edhe në rastet kur nuk i vendos mjetet mbrojtëse. Kjo pjesë nuk vjen nga mentaliteti, por duhet të vijë detyrimisht nga kompania, vetë punëdhënësi. Kur jemi në këtë pikë, vetë kompanitë duhet të marrin iniciativa, ku një punëtor duhet të largohet nga puna në rast se nuk i përcjell udhëzimet e kompanisë dhe pastaj mund të konsiderohet edhe pjesa e mentalitetit. Sepse nëse një punëtor largohet nga puna, ne e kuptojmë për kompaninë se është kosto e madhe zëvendësimi i tij, por është kosto shumë më e madhe për punëdhënësit rasti kur ndodh aksidenti”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, gjobat jo gjithherë janë mjeti më i mirë që të bëhet parandalimi i aksidenteve në vendin e punës, për çka Inspektorati i Punës duhet të ndërmarrë masa të tjera.
“Këtu nevojitet kombinimi i disa aspekteve: e para është ndalimi i punimeve në kompanitë që në momentin e parë që e sheh se nuk po zbatohet Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë, atyre kompanive duhet t’u bëhet pezullimi i punimeve dhe kjo do të ketë kosto shumë më të madhe për kompaninë, por në të njëjtën kohë e rrit vetëdijen tek to. Që nuk mund të funksionojnë në mënyra ku ato kanë skele jashtë standardeve, ku lejohen punëtorët, sidomos në raste të ndërtimit, të punojnë në lartësi të mëdha pa e pasur rripin e sigurisë. Pra, një pjesë e madhe e kompanive funksionojnë në atë mënyrë që përgjegjësia i vendoset punëtorit”, ka shtuar Gashi.
Më 21 korrik, tre punëtorë vdiqën si pasojë e lëndimeve të marra në vendpunishte, dy prej të cilëve ishin në rajonin e Gjakovës dhe njëri në atë të Istogut.
Sipas Inspektoratit të Punës, gjatë vitit 2022 janë regjistruar 15 aksidente me fatalitet në vendin e punës dhe 11 në vitin 2023.
Ndërsa, numër më i ulët i këtyre raste ishte shënuar vitin që shkoi, me 7 vdekje.
Si shqetësuese e patën vlerësuar numrin e vdekjeve në vend të punës edhe në Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat, e që kryetari i saj, Jusuf Azemi, pati deklaruar se brenda 8 vjetësh, 140 punëtorë në Kosovë e kanë humbur jetën në vend të punës.
E, në bazë të të dhënave të Policisë, prej muajit janar e deri në mars të 2025, janë 37 raste të raportuara për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.