Komuna e Lipjanit është duke u përballur me mungesë zjarrfikësish. Një ndërresë menaxhohet nga vetëm tre profesionistë, të cilët duhet t’u përgjigjen secilës emergjencë. Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave nuk i ka shqyrtuar kërkesat për rritjen e stafit dhe për blerje të pajisjeve të punës. Kjo ka nxitur reagimin e drejtuesve të zjarrfikësve në Lipjan.
Zjarrfikësit në Lipjan për çdo muaj intervenojnë në qindra raste të zjarreve, në aksidente të komunikacionit dhe në raste të ndryshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por, puna e tyre realizohet me shumë vështirësi si pasojë e mungesës së stafit.
Prej vitesh orari i punës dhe kujdestaritë e zjarrfikësve në këtë komunë realizohen vetëm me nga tre zjarrfikës. Sipas menaxhmentit, kjo bën që të mos mund të realizohen dy intervenime në të njëjtën kohë.
Haqif Rrustemi, komandant i Zjarrfikësve në Lipjan, ka deklaruar se disa herë ka bërë kërkesa në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave për rritjen e stafit të zjarrfikësve, por deri më tash nuk janë shqyrtuar ato.
“Një staf kaq i vogël jo që është i pamjaftueshëm, por është nën pragun e poshtëm dhe nën minimumin për të themeluar dhe funksionuar njësia. Kriteret ekzistojnë, ligji ekziston, procedurat ekzistojnë, të shkruara janë, por zbatimi nuk është askund”, ka thënë Rrustemi.
Rrustemi shpjegon se janë gjithsej 17 zjarrfikës dhe 7 prej tyre kanë probleme shëndetësore. Sipas tij, nëse merret në konsideratë numri i banorëve të komunës, stacioni duhej t’i kishte 42 zjarrfikës.
“Për fat të keq nuk mund ta mbulojmë secilin rast. Në këto raste thërrasim në ndihmë ndonjë njësi më të afërt në komunat fqinje ose thjesht nevojën për ndihmë e transferoj te shërbimi 112 në nivelin regjional”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, zjarrfikësit kanë thënë se institucionet duhet ta rrisin numrin e stafit në mënyrë që intervenimet të realizohen sa më shpejt dhe sa më mirë.
“Si pasojë që jemi vetëm tre persona në ndërrim, nëse ka ndonjë ndezje të zjarrit nuk mund të arrijmë qëllimet deri në fund për shuarjen e zjarrit. Pra, e kemi stafin shumë të vogël të zjarrfikësve dhe hasim në të gjitha problemet”, ka thënë udhëheqësi i ndërresës së zjarrfikësve, Fahri Luma.
Në anën tjetër, Nehat Koqinaj, shef për marrëdhënie me publikun në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, ka thënë nëpërmjet telefonit se më shumë se gjysma e buxhetit të tyre shpenzohet për përmirësimin e kushteve të zjarrfikësve nëpër komuna.
“AME mbi 70 për qind të buxhetit investon për njësitë e zjarrfikësve nëpër komuna. Ne e dimë se edhe në komuna të tjera ka nevojë për rritjen e stafit të zjarrfikësve, por pa mbështetjen e institucioneve të tjera një gjë e tillë është e pamundur”, ka thënë Koqinaj.
Drejtuesit e zjarrfikësve kanë kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave që ta zbatojnë ligjin, i cili obligon rritjen e numrit të zjarrfikësve.