Dyshime për parregullsi janë ngritur në një proces konkursi në Konsullatën e Kosovës në Toronto të Kanadasë. Kandidatja Violeta Makolli ka pretenduar se Ministria e Jashtme ia bëri të padrejtë duke e diskualifikuar me arsyetimin se nuk posedon leje të qëndrimit dhe të punës në shtetin kanadez. Por, ajo ka pretenduar se i ka vënë në dispozicion të gjitha dokumentet që e dëshmojnë të kundërtën, teksa ka shtuar se nuk është njoftuar asnjëherë mbi epilogun e konkursit me gjithë kërkesat e adresuara në MPJD. Në këtë dikaster kanë thënë se punësimi i saj do të binte ndesh me rregullat elementare të respektimit të vendit pritës
Një proces rekrutimi në Konsullatën e Kosovës në Toronto të Kanadasë ka nxitur pakënaqësi tek kandidatja, e cila nuk ka arritur që të punësohet në pozitën e asistentes administrative.
Kandidatja Violeta Makolli ka pretenduar se Ministria e Jashtme, me gjithë kërkesat e shumta që i ka adresuar, nuk e ka njoftuar lidhur me epilogun e konkursit dhe për arsyet e mospranimit.
Ajo ka vënë në dispozicion emailat e dërguar në adresë të konsullatës e MPJD-së, me kërkesën për sqarime. Por, sipas Makollit, Ministria fillimisht i ka kthyer vetëm përgjigje automatike dhe pas 24 orësh, siç ndodh rëndom kur palët adresojnë kërkesa.
“Dyshimet e mia kanë nisur që prej dorëzimit të dokumenteve. Pas aplikimit kam kërkuar letër- konfirmim, të cilin duhet ta japë secili institucion kur aplikon për vend pune. Nuk më kanë dhënë gjë, u kam shkruar sërish email. Më kanë kthyer (përgjigje) pas dy ditësh, duke e cekur mosplotësimin (e kriterit) sa i përket lejes së qëndrimit dhe lejes së punës”, ka thënë Makolli. Ajo e ka kontestuar edhe mënyrën se si është zhvilluar intervista në Konsullatë.
“Procedura e intervistimit ka qenë katastrofë, nuk ishte intervistë por më shumë bashkëbisedim, ku Kadri Dakaj (shefi i Konsullatës) më ka thanë se kinse është punë e rëndë për mua, ndoshta më duhet të punoj jashtë orarit të punës, e kam fëmijë. Unë të gjitha këto i di, sepse edhe tash jam duke punuar. Pasi janë vonuar me përgjigje, kur ka përfunduar intervistimi, jam detyruar që t’ju shkruaj sërish. Më kanë thënë vetëm kaq: ‘Na vjen keq, nuk je përzgjedhur’. Por edhe pse u kam kërkuar disa herë nuk më janë dërguar me shkrim arsyet e refuzimit”, ka theksuar ai.
Por në MPJD i kanë mohuar këto pretendime, teksa kanë thënë se të gjitha procedurat janë kryer bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me rekomandimet e Divizionit të Burimeve Njerëzore.
“Gjatë vlerësimit të kandidatëve është konstatuar se kandidatja në fjalë nuk ka status (leje qëndrim) të rregulluar në Kanada. Punësimi i saj do të binte ndesh me rregullat elementare të respektimit të vendit pritës. Përveç kësaj, gjatë vlerësimit kandidatja ka treguar njohuri të limituara të zotërimit të gjuhëve të vendit, si kriter shumë i rëndësishëm për këtë pozitë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e angazhuar që të ketë procese rekrutimi transparente, të hapura për çdo kandidat, i cili i plotëson kriteret dhe të bëjë vlerësim mbi baza të meritokracisë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Mirëpo Makolli ka thënë se ministrisë ia ka vënë në dispozicion lejen e qëndrimit dhe të punës në Kanada. Mbështetur në dokumentin që ka prezantuar, ajo ka thënë se i lejohet e drejta e punës deri në vitin 2024, ndërkaq lejeqëndrimin e ka të vlefshëm deri më 2026-n.
“Kam lejeqëndrim deri në vitin 2026. Janë procedura që i kërkon shteti kanadez dhe nuk cenohet e drejta e punësimit. Për më tepër, unë aktualisht jam duke punuar në Toronto. Po të mos isha në rregull me dokumentacion, nuk kisha pasur mundësi që të punoja. Po ashtu kriter për të punuar në kompaninë ku jam aktualisht është gjuha angleze. Kështu që, nuk qëndron ajo që ka thënë MPJ-ja se kam njohuri të kufizuara të gjuhës angleze”, ka deklaruar Makolli.
Përkitazi me rastin Makolli ka paralajmëruar se do ta kërkojë të drejtën e saj në institucionet e shtetit kanadez.