Arbëri

Një asamblist i LDK-së emërohet u.d. i drejtorit në shkollën e Ribarit

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Lipjan, po e akuzojnë ekzekutivin e Komunës se ka emëruar asamblistin e LDK-së Nehat Tërpeza, ushtrues detyre të drejtorit të shkollës fillore “Kadri Beba” në fshatin Ribar i Madh.

Megjithëse, sipas opozitës ligji e qartëson se udhëheqësit e shkollave nuk mund të ushtrojnë këtë funksion pa kaluar tre vjet nga dorëheqja e strukturave udhëheqëse politike.

“Në vazhdën e këtyre, komuna dhe kryetari i Lipjanit vazhdimisht ka bërë kësi shkelje ligjore të cilat i kemi donancuar ne si subjekt politik, ne do të vazhdojmë ta monitorojmë punën e kryetarit aktual, kryetari aktual e ka parë se është drejtë humbjes së thellë në komunën e Lipjanit dhe ka filluar t’i rehatoi njerëzit e afërt që mendon se i ka”, ka thënë Valenton Amerllahu, anëtar i Kryesisë së LVV-së.

“Më herët ishim dëshmitar se për ta udhëhequr një nëndegë të LDK-së si shpërblim ishte vendi i punës si drejtor shkolle, tani Komuna e Lipjanit për qëllim që mos t’i ikur një kuvendar dhe anëtar i kryesisë nga linja partiake ajo e shpërblen me pozicion ushtrues detyre të drejtorit të shkollës”, ka deklaruar Berat Kelmendi, zyrtar për informim në PDK, dega në Lipjan.

Tërpeza nëpërmjet rrjetit social e ka bërë publike pozitën e re në krye të kësaj shkolle, por paraprakisht nuk ka njoftuar se ai ka dhënë dorëheqje nga strukturat e LDK-së.

Drejtoresha për Arsim në Komunën e Lipjanit, Elmaze Behluli, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me akuzat e opozitës.

Ndërkaq Nehat Tërpeza ka thënë se pas rezultateve jo të mira në zgjedhjet e 14 shkurtit ka dhënë dorëheqje nga strukturat e partisë dhe nga pozita e këshilltarit komunal.

“Detyra e ushtruesit të detyrës është njëfarë përgjegjësie e drejtorit dhe ajo që është marrë si vendim nga ana e kryetarit unë e kam mirëpritur dhe e kam pranuar, nuk mund ta mohoj një fakt që ka ndodhur dhe kjo është bërë nga një shtytje e kolektivit të shkollës sime, nga prindërit, nga nxënësit, nga komuniteti që punoj tash e sa vite me ta”, deklaroi ish-asambleisti i LDK-së, Tërpeza.

Ai është arsyetuar duke thënë se udhëzimi administrativ nuk e përmend pozitën e ushtruesit të detyrës.