Arbëri

Një aeroplan bjellorus aterron në “Rinas”, me gjithë sanksionet e BE-së

Një aeroplan nga Bjellorusia ka aterruar në pistën e Aeroportit të Rinasit në Shqipëri, pasditen e së mërkurës, me gjithë sanksionet e vëna mbi këtë shtet nga Bashkimi Evropian.

Ky aeroplan ka ardhur nga kryeqyteti bjellorus, duke kaluar përmes Hungarisë që është shtet i BE-së, por që megjithatë e ka lejuar të kalojë. Aeroplani ishte me turistë bjellorusë.

BE-ja të hënën vendosi sanksione kundër Bjellorusisë, përfshirë ndalimin e përdorimit të hapësirës ajrore dhe aeroporteve të bllokut 27-anëtarësh nga linjat ajrore bjelloruse. Ky vendim erdhi si reagim ndaj devijimit të detyruar të avionit “Ryanair” me pasagjerë, për ta arrestuar gazetarin Raman Pratasevich. Avioni po fluturonte nga Greqia në Lituani të dielën kur u rrëmbye. BE-ja kërkoi lirimin e menjëhershëm të gazetarit Pratasevich, i cilësuar si kundërshtar kryesor i presidentit autoritar të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Udhëheqësit e BE-së u kërkuan gjithashtu të gjitha kompanive ajrore me seli nëpër BE të shmangin fluturimin mbi Bjellorusi, ndërkohë që ranë dakord të vendosnin sanksione ndaj zyrtarëve të lidhur me devijimin e fluturimit të dielën dhe i kërkuan Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të fillojë një hetim për ngjarjen që ata e shohin si një veprim të pashembullt dhe që disa thanë se ishte terrorizëm shtetëror ose pirateri.

E nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministra e Jashtme e Shqipërisë është thënë se ulja e avionit është lejuar, pasi nuk është bërë asnjë kërkesë nga NATO-ja dhe BE-ja për t’i ndaluar fluturimet me Bjellorusinë.

Ndërkohë kryetari i shoqatës së turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi, i pyetur nëse do të dëmtohej vendi në rast se Shqipëria ndalon fluturimet me Bjellorusinë, tha se shtetasit bjellorus nuk kanë ndikim në turizmin në Shqipëri.

nga Bjellorusia dhe Ukraina nuk janë vendimtarë për këtë sezon turizmi. Ky turizëm nga kjo zonë është diku tek 4-5 për qind, domethënë nuk është se do të ndikojë në turizmin shqiptar”, është shprehur Topuzi.