Arbëri

Nisin hetimet rreth dyshimeve për keqpërdorim të tenderit për bombola kundër zjarrit

Ditë më parë janë ngritur dyshime se kompania nënkontraktuese e tenderit – “Euro Servis” – i kishte ndërruar vetëm tiketat e afatit të bombolave, pa i testuar fare. Isuf Sadiku, punonjës teknik në QKMF-në e Shtimes, e ka lajmëruar Policinë për veprimin, teksa më pas është përballur me kërcënime nga punëtorët e kompanisë. Ai nuk ka pranuar që të deklarohet rreth rastit

Departamenti për krime ekonomike i Policisë ka nisur të enjten hetime rreth dyshimeve për keqpërdorim me tenderin e bombolave kundër zjarrit për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Shtimes.

Ditë më parë janë ngritur dyshime se kompania nënkontraktuese e tenderit – “Euro Servis” – i kishte ndërruar vetëm tiketat e afatit të bombolave, pa i testuar fare.

Isuf Sadiku, punonjës teknik në QKMF-në e Shtimes, e ka lajmëruar Policinë për veprimin, teksa më pas është përballur me kërcënime nga punëtorët e kompanisë. Ai nuk ka pranuar që të deklarohet rreth rastit.

“Nuk dua ta komentoj rastin derisa Krimet Ekonomike janë duke e hetuar”, ka thënë Sadiku nëpërmjet telefonit.

Akuza rreth rastit janë adresuar edhe nga opozita, përfaqësues të së cilës kanë ngritur dyshimet se Drejtoria Komunale e Prokurimit ka manipuluar me tenderin e bombolave kundër zjarrit për institucionet publike.

Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt, ka thënë se Policia është duke e trajtuar rastin teksa ka shtuar se tashmë janë iniciuar edhe kallëzime penale.

“Policia ka mësuar se gjatë ndërrimit të aparateve të zjarrit, punëtori teknik ka dyshuar se ato aparate nuk janë ndërruar, por vetëm iu kanë ndërruar vetëm tiketat. Prandaj ka ardhur deri te ky rast i kanosjes. Policia i ka intervistuar punëtorët e kompanisë. Njëkohësisht ka intervistuar edhe ankuesin, si punëtor teknik të QKMF-së dhe ndaj tyre është iniciuar kallëzim penal me motivin kanosje”, ka thënë Veseli.

Adem Ramadani, njohës i fushës së sigurisë dhe njëherësh kryesues i Komitetit për Ambient, Shërbime Publike dhe Urbanizëm në kuadër të Kuvendit Komunal të Shtimes, ka kërkuar që kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, të japë llogari rreth dyshimeve të ngritura, pasi që janë vënë në rrezik jetët e pacientëve dhe të stafit në QKMF.

Ai ka thënë se në cilësinë e kryesuesit të Komitetit e kishte rekomanduar edhe më herët kryetarin Aliu që të kontraktonte ndonjë kompani për servisimin e aparateve kundër zjarrit nëpër institucione.

“Është keqpërdorur kontrata, sepse atyre bombolave nuk duhet t’u ndërrohet vetëm tiketa, por ato duhet të merren dhe të servisohen e pastaj të shikohet gjendja e tyre adekuate. Siç jemi në dijeni, aty është tentuar që të falsifikohet, duke ua ndërruar vetëm tiketat. Ne edhe në Kuvend e kemi pasur si diskutim këtë çështje, andaj barra duhet të bjerë komplet mbi kryetarin e Komunës dhe mbi Drejtorinë e prokurimit”, ka thënë Ramadani.

Njazi Ahmeti, pronar i kompanisë “Euro Servis”, ka mohuar kërcënimet kundër punonjësit teknik në QKMF, por ka thënë se ka pasur vetëm fjalosje të vogël. Ai ka theksuar, ndërkaq, se nëse bombolat janë në gjendje të mirë teknike, atëherë nuk duhet të servisohen.

“Aparatet në rregull kishin qenë dhe me shtypje normale, ndërkaq në raste të tilla vetëm tiketën ia vendosim, sepse 100 për qind në rregull ishin me shtypje normale. Tani, pasi erdhi punëtori teknik, ne e ndërpremë punën pasi i vendosëm tiketat në 8 aparate. Ndërkohë, një aparat e përdora në prezencë të punëtorit teknik pasi që tha se nuk i ke rregulluar mirë. Ndërkohë, dëgjova se ishte lajmëruar në Policinë e Kosovës. Pra, po e sqaroj se nëse bombolat janë në gjendje të mirë dhe e kanë shtypjen e mirë ne ua ndërrojmë vetëm tiketat, sepse nuk ka nevojë të dërgohen për servisim”, ka thënë Ahmeti nëpërmjet telefonit.

Pranvera Bajrami, drejtoreshë e QKMF-së, ka konfirmuar se rasti është duke u trajtuar nga Policia.

“Për këtë rast është e njoftuar Policia e Kosovës dhe po merret me këtë çështje. Punëtori yni, Isuf Sadiku, ka qenë prezent gjatë ndërrimit të bombolave të zjarrit dhe kompania përgjegjëse, siç

kam informacione, nuk e ka kryer punën adekuate të paraparë me kontratë dhe ka filluar disa fjalosje mes tyre dhe punëtorit tonë teknik, i cili nuk i ka lejuar të vazhdojnë tutje dhe ai e ka njoftuar Policinë e Kosovës. Cila ka qenë kompania dhe përgjegjësit për këtë kontratë janë të caktuar nga ana e Komunës”, ka thënë Bajrami.

Në Komunën e Shtimes prej dy ditësh askush nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.