Komuna e Ferizajt ka nisur të enjten ndërtimet për projektin e ri të “Bashkimit të qytetit”. Autoritetet komunale vlerësuan se me projekte të këtilla qytetarëve u garantohet siguri më e madhe, si dhe shmanget mundësia për krijimin e kaosit me vetura
Komuna e Ferizajt ka nisur të enjten fazën e parë të ndërtimit të projektit më të ri për bashkimin e qytetit nga hekurudha deri te Stacioni policor.
Projekti u kualifikua i rëndësishëm për sigurinë e këmbësorëve dhe për shkarkimin e kaosit me automjete.
Kryetari i Komunës, Agim Aliu, theksoi se gjatë ndërtimit do të ketë vështirësi për qarkullim, porse finalizimi i projektit do të rezultojë funksional sikurse projekti i mëhershëm i nënkalimit.
“Unë jam shumë i lumtur që kemi një vazhdimësi edhe sot një projekt të përmasave të tilla të nënkalimit kryesor të qytetit. Ky projekt do të jetë shumë i bukur, përveç anës funksionale dhe përveç qarkullimit më të lirë dhe evitimit të kaosit urban, është edhe i bukur”, ka thënë Aliu.
Aliu ka deklaruar se synimi i ndërtimit të nënkalimeve është krijimi i sigurisë për qytetarët, si dhe krijimi i mundësisë për intervenime të shpejta të policisë, emergjencës e zjarrfikësve.
“Faza e parë, 433 mijë euro si vlerë e kontraktuar e projektit, ndërkaq faza e dytë jemi duke e përgatitur dhe do të shikojmë se sa do të jetë vlera e fazës së dytë. Do të jetë një projekt i kushtueshëm, por ajo që ofron projekti ia ka vlejtur, sepse ne tashmë e kemi një përvojë për projekte të tilla që ia ka vlejtur në komponentin e sigurisë dhe të funksionalitetit”, është shprehur ai.
Krahas lehtësimeve të tjera, Aliu vlerësoi se projektet e nënkalimeve ofrojnë siguri me të madhe edhe për peronat me aftësi të kufizuara.