Tre mësimdhënës në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj tashmë kanë nisur mësimin e rregullt për klasat VIII dhe IX, me qëllim që nxënësit të mos humbin më shumë orë.
Për nisjen e procesit mësimor sipas mësimdhënësve janë koordinuar me prindërit, por thonë se janë përkrahur edhe nga udhëheqësit e shkollës.
“Po e fillojmë ditën mirë me detyrat e matematikës, me nxënës të cilët po vijnë në shkollë. Unë kam vendosur të mbaj mësim, sepse nuk më është dukur e drejtë se si mësimdhënëse t’i lë fëmijët pa mësim për t’i arritur qëllimet apo kërkesat tona si mësimdhënës kundër qeverisë apo shtetit”, ka thwnw Fatbardha Reka, mësimdhënëse.
Drejtori i shkollës “Gjon Serreçi”, Nazmi Heda, ka thënë se së shpejti pritet të nisë mësimi edhe në disa paralele të tjera pas kërkesave të prindërve dhe nxënësve.
“Në gjendje gatishmërie janë për të punuar edhe mësueset me nxënës me nevoja të veçanta, por për shkak të problemeve që kemi me transportin kemi ngelur në pritje”, pohoi Heda.
Drejtori Heda ka kërkuar edhe nga mësimdhënësit e tjerë të kësaj shkolle ta marrin me seriozitet kërkesën e prindërve për ta nisur mësimin në mënyrë që nxënësve të mos ua shkelin të drejtat për shkollim.