Arbëri

Nis fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Kurti: Duhet emancipuar burrat e djemtë e rinj

Albin Kurti

Ka nisur edhe në Kosovë fushata globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Në hapje, mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili citohet të ketë thënë se shteti ka detyrim të mbrojë çdo grua që përballet me kërcënim e dhunë.

“Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen mbi trauma të cilat nuk janë shëruar, as mbi një kulturë e cila e relativizon dhunën. Atë mund ta ndërtojmë vetëm mbi shërimin, mirëkuptimin dhe një kulturë e cila e refuzon dhunën dhe e vendos dinjitetin e njeriut në qendër. Dhuna në familje nuk justifikohet nga asgjë, askund, asnjëherë, as nga ngarkesa a stresi, e as nga ndonjë traditë a zakon”, tha kryeministri njofton ZKM-ja.

Kurti përmendi edhe lansimin dhe zbatimin e Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale; ofrimin e programit psiko-sociale për trajtimin e kryerësve të dhunës; ndihmën juridike falas për viktimat, pa asnjë kusht ekonomik - në fushën civile: për 671 qytetarë, prej tyre 588 gra, dhe në fushën penale: 310 qytetarë, prej tyre 187 gra.

Sipas Kurtit, lufta kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm çështje e grave, para së gjithash thotë se duhen emancipuar burrat e djemtë e rinj.