Arbëri

Nis dërgimi i fletëvotimeve për votimin me postë

kqz

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur pakot me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Dërgesat postare me fletëvotime do të dërgohen për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar dhe që kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës. Pjesa tjetër e votuesve të regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, 19,257, duhet të presin datën 27 dhjetor për të votuar në misionin diplomatik ku janë regjistruar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpjeguar para mediave se fletëvotimet, të cilat janë printuar në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten, më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së, ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar, të cilat tashmë janë të gatshme për t’u dërguar jashtë vendit në adresat e votuesve të regjistruar.

“Fillimisht, pakot do të dërgohen në aeroport dhe gjatë ditës së nesërme do të fillojë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare, në adresat e votuesve. KQZ njofton se gjatë javës në vijim do të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, votimi përmes postës do të përfundojë më 27 dhjetor dhe votuesit inkurajohen që pakon me fletëvotim ta dorëzojnë në kuti postare në kohën më të shpejtë që është e mundur që ajo të arrijë me kohë.

“Është e rëndësishme të theksohet se votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Kjo periudhë votimi vlen vetëm për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës. KQZ u bën thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. Votuesit inkurajohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”, tha Elezi.

KQZ-ja ka bërë të ditur se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Lexo përditësimet tjera
Votimi me postë

Sot nis dërgimi i fletëvotimeve për votimin me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot do të nisë dërgimi i pakove me fletëvotime...