Arbëri

Nis asgjësimi i 150 tonë barnave me afat të skaduar

Ministria e Shëndetësisë ka nisur procesin e asgjësimit të 150 tonë barnave dhe materialeve shpenzuese me afat të skaduar që gjendeshin në Depon Qendrore të Barnave prej më shumë se një dekade. Kontrata për asgjësim kap vlerën prej gjysmë milioni eurosh e procesi, sipas kontratës, pritet të përfundojë brenda një viti.

22 paleta me 3 mijë kilogramë material shpenzues laboratorik me afat të skaduar të përdorimit janë tërhequr nga Depoja Qendrore e Barnave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Materiali, i cili i takon Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, është matur fillimisht në peshore dhe, pas evidentimit nga zyrtarët përgjegjës, është ngarkuar në dy kamionë nga kompania kontraktuese për asgjësim.

“Ky proces do të monitorohet nga ekipi menaxhues i procesit. Për shkak të transparencës dhe sigurisë që nga dita e parë deri në përfundim të procesit. Sot siç e patë edhe ju, kemi startuar me barnat e IKSHPK-së, material ky i cili është i regjistruar dhe i verifikuar dhe me raport nga Inspektorati farmaceutik, në përgjithësi ka pajisje, material laboratorik dhe material shpenzues. Mandej do të vazhdojmë me barna të Depos Qendrore”, ka thënë Jehona Leci-Ymeri, farmaciste në Depon Qendrore.

Procesi i asgjësimit ka nisur me 50 mijë kg material të identifikuar që nga viti 2017, prej të cilave, sipas dosjes së tenderit, 30 mijë kg i përkasin Ministrisë së Shëndetësisë e 20 mijë kg të tjerë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Krahas kësaj sasie, 100 mijë kg të tjerë apo 100 tonë janë materiale dhe barna të paidentifikuara, të cilat kompania kontraktuese duhet t’i identifikojë, t’i regjistrojë dhe më pas t’i asgjësojë brenda një viti.

Kontrata për asgjësim kap vlerën e rreth gjysmë milioni eurosh. E çmimi për njësi ndryshon varësisht nga gjendja e materialit.

Sasia e identifikuar do të kushtojë 2 euro e 80 centë për kg, ndërkaq ajo që kërkon identifikim e regjistrim 3 euro e 50 centë. 

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë bërë të ditur koston totale të blerjes së 150 tonë barnave, të cilave u ka skaduar afati pa u përdorur.

Në korrik KOHA ka raportuar se në Depon Qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë ndodheshin të grumbulluara 150 tonë barna dhe materiale mjekësore të papërdorura e të cilave u ka skaduar afati i përdorimit. 

Nga kjo sasi ka edhe barna e material që janë pranuar në formë donacioni, përderisa të tjera janë blerë nëpërmjet tenderëve publikë.

Deri para pak muajsh barnat me afat të skaduar të përdorimit janë mbajtur në një vend me ato me afat valid. 

KOHA ka raportuar vite më parë për gjendjen kritike në Depon e Barnave. 

Aty kanë munguar ndriçimi, ajrosja, si dhe ndarja adekuate mes barnave me afat dhe atyre të skaduara.

Procesi i fundit për shkatërrimin e barnave me afat të skaduar është bërë në vitin 2011.