Arbëri

Ngec zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në Lipjan, dhjetëra fshatra pa ujë të pijshëm

Së fundi, uji i kontaminuar është konstatuar në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët, “Nezë Bujani”, në fshatin Bujanë. Kjo çështje është shtruar si temë diskutimi edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Lipjan, derisa opozita ka akuzuar ekzekutivin për mungesë të investimeve në rrjetin e ujësjellësit

Banorët në dhjetëra fshatra të Lipjanit po vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit të pijshëm, derisa autoritetet lokale ende nuk kanë arritur ta finalizojnë zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit. Si pasojë e kësaj, me gjendje të rënduar më së shumti po përballen objektet shkollore.

Së fundi, uji i kontaminuar është konstatuar në shkollën fillore dhe të Mesme të Ulët, “Nezë Bujani”, në fshatin Bujanë. Kjo çështje është shtruar si temë diskutimi edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Lipjan, derisa opozita ka akuzuar ekzekutivin për mungesë të investimeve në rrjetin e ujësjellësit.

Drejtori i shkollës në fshatin Bujan, ka thënë se komuna është në dijeni se nxënësit nuk kanë ujë të pijshëm brenda objektit, derisa uji nga pusi i shkollës është konstatuar i kontaminuar.

“Kërkesën e kam bërë në Komunë zyrtarisht, ka ardhur një kompani i ka bërë analizat e ujit dhe nuk ka dalë i mirë. Nxënësit po detyrohen ta marrin ujin me vete, ndërkaq me gjendje të tillë komplet fshati po përballet, sepse ujin e puseve askush nuk guxojmë ta përdorim për pije. Fshati nuk ka fare ujësjellës, andaj në secilën familje del mbi 300 norma mesatare e ujit, derisa e lejuar është prej 0.20 deri 70 apo 75. Shkolla ka gjithsej 171 nxënës, andaj të gjithë e marrin ujin me vete për pije. Për këtë çështje e kam njoftuar edhe Komunën me kohë”, ka thënë Astrit Buja, drejtor i kësaj shkolle në Bujan.

Arsim Jashari, shef i kuvendarëve në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, në mbledhjen e fundit të mërkurën, ka thënë se është shqetësuese se si komuna nuk po arrin të bëjë investime në zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm për qytetarët, e sidomos nxënësit nëpër shkolla.

Ai ndërkohë ka sqaruar se në dhjetëra shkolla të kësaj komune uji është i papijshëm.

“Dhjetëra objekte shkollore përballen me mungesë të ujit të pijshëm, andaj shkaku i kësaj nxënësit obligohen të marrin ujë me vete nga shtëpia, sepse uji po del të jetë i kontaminuar edhe në shkollën e fshatit Bujan. Pra, gjendja në disa shkolla të Komunës së Lipjanit lidhur me ujin e pijshëm është mjaft alarmante, arsyeja se puset të cilat janë në këto shkolla janë të kontaminuara me baktere dhe nxënësit nuk mund ta përdorin ujin. Është një alarm që komuna duhet të mendojë që në shtator, nxënësit të kenë ujë të pijshëm nëpër objekte shkollore”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, opozita ka kërkuar edhe në të kaluarën të planifikohen projekte kapitale për përmirësimin e gjendjes me ujë të pijshëm në dhjetëra lokalitete, por deri më tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Image

“Komuna është fokusuar në investime kozmetike, duke anashkaluar dhjetëra fshatra në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit. Prandaj mendojmë se uji dhe kanalizimi janë projektet më jetësore për qytetarët, kështu që duhet të bëhen investime emergjente”, ka thënë Jashari.

Shahadije Bikliqi, kuvendare nga radhët e LVV-së, ka thënë se një pjesë e madhe e fshatrave dhe e shkollave në Komunën e Lipjanit përballen me mungesë të ujit të pijshëm, derisa komuna nuk ka arritur të bëjë investime në instalimin e rrjetit të ujësjellësit.

Sipas saj, me gjendje më të rënduar po përballen edhe qindra banorë në qytezën e Janjevës, me gjithë përpjekjet e kompanisë së ujësjellësit për të bërë investime të reja brenda fshatit.

“Ky problem është bërë i papërballueshëm, e sidomos tash në sezonin e verës ku banorët e kanë vështirë të gjejnë zgjidhje për ta siguruar ujin e pijshëm. Çështjen e ujit e kam ngritur disa herë në Kuvendin Komunal dhe do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë, derisa kryetari i Komunës të marrë masa në këtë drejtim. Por për keqardhje është fakti se ky i fundit çdo herë i ka ikur përgjegjësisë, pavarësisht se në fushatë zgjedhore ka premtuar 24 orë ujë për të gjithë qytetarët”, ka thënë Bikliqi.

Ajo ka shtuar se komuna shpeshherë fajin po e hedh te kompania e ujësjellësit “Prishtina”, por asnjëherë nuk e përmend faktin se shumë fshatra nuk kanë fare rrjet të ujësjellësit, e që sipas saj, komuna e ka për obligim të bëjë investime.

“Sa u përket shkollave, është shumë shqetësuese që secili prind e ka frikën se fëmijët e tyre mund të përdorin ujë të kontaminuar brenda objekteve shkollore, derisa në disa shkolla siç e kemi rastin e fshatit Bujan, aty uji është i kontaminuar plotësisht”, ka thënë Bikliqi.

Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Komunën e Lipjanit, ka thënë se pritet të ketë investime të reja në pjesën perëndimore të Komunës për ta përmirësuar gjendjen me ujë të pijshëm në disa lokalitete.

Sipas tij, edhe në fshatin Bujan do të bëhet një zgjidhje për objektin e shkollës dhe për banorët në përgjithësi.

“Rreth ujit në Bujan e kemi shpjeguar edhe më herët, por derisa nuk ka ujë sipas standardeve nga ujësjellësi, atëherë ne nuk mund t’i obligojmë fëmijët ta përdorin ata ujë në shkollë i cili vjen nga puset. Megjithëse shpesh kemi dërguar në institut ta bëjmë matjen e cilësisë së ujit, prapë nuk e kemi atë guxim me u thënë fëmijëve me përdor ujin, ashtu siç nuk e përdorim as në shtëpi. Por, besoj se sa i përket Bujanit, do të ndërtohet rrjeti i ujësjellësit dhe do të kyçet shkolla në këtë rrjet”, ka thënë ai.