Arbëri

Ngadalësohet rritja ekonomike, por Kurti lavdërohet për rritje të të hyrave

Zhvillimi ekonomik i vendit ka stagnuar në krahasim me vitin e kaluar. Derisa vitin që lamë pas rritja ekonomike ishte 10.7 për qind, për çka është krenuar kryeministri Kurti, ai nuk ka përmendur që në tremujorin e dytë të këtij viti rritja ekonomike është vetëm 2.1 për qind, që është më e ulëta nga 2014-a, duke përjashtuar vitin 2020. Sipas ekonomistëve, shqetësuese është rënia e investimeve.

Kryeministri Albin Kurti e ka paraqitur si sukses të qeverisjes së tij rritjen ekonomike prej 10,7 për qind gjatë vitit që lamë pas, duke thënë se është rritja më e madhe në rajon.

Por, aty përmend vetëm rritjen ekonomike të tremujorit të parë që ishte 4.9 për qind, por jo edhe tremujorin e dytë, që rritja ekonomike reale ishte 2.1 për qind, që është më e ulëta që nga 2014, duke përjashtuar vitin 2020.

Trend shqetësues sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave është rënia drastike e investimeve kapitale të Qeverisë, që ishte në nivel prej - 16.81 për qind.

Sipas Edision Jakurtit, doktorant i ekonomisë, një prej faktorëve kryesorë është mungesa e investimeve. Por ai numëron edhe faktorë të tjerë.

Kryeministri Albin Kurti është mburrur edhe me rritjen e të hyrave buxhetore nga Dogana dhe Administrata Tatimore. Por, sipas Jakurtit, kreu i ekzekutivit nuk po tregon pse ka rritje të këtyre të hyrave.

Kryeministri nuk ka përmendur as faktin se çmimet e konsumit janë rritur për 13 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Rritja e çmimeve ka ndikuar në rritjen e të hyrave buxhetore. Sipas të dhënave të Doganës deri në shtator ky institucion ka grumbulluar afro 1 miliard euro të hyra, që janë rreth 12.5 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.

Rritje të të hyrave për 22.2 për qind pati edhe në Administratën Tatimore të Kosovës. Deri në shtator ATK-ja tregon se janë mbledhur afro 490 milionë euro.

Derisa u rritën çmimet e të hyrat, pagat mbetën në nivel të njëjtë. Paga mesatare bruto në Kosovë është 484 euro, e pensione nga 100 deri në 265 euro.

Edhe pse Qeveria ka miratuar një pako në përballje me inflacionin në vlerë prej 150 milionë eurosh. Megjithatë, sipas ekonomistëve, mungojnë politikat e tjera krahas kësaj pakoje, siç është ajo për çmimet tavan, të cilën Qeveria ka disa muaj që e ka premtuar, por që nuk është realizuar ende.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, qytetarët po paguajnë 25 për qind më shumë për produktet e njëjta.