Arbëri

Nga zjarret u dogjën edhe shtëpi

Me valën e re të të nxehtit shumë komuna janë duke u përballur edhe me zjarret. Agjencia e Menaxhimit Emergjent bëri të ditur se gjatë ditës janë raportuar 37 vatra të reja zjarri, nga to 18 aktive, dhe se për fikjen e tyre ka kërkuar edhe ndihmën e KFOR-it. Në Kçiq të Mitrovicës u dogjën edhe shtëpi

Gjatë të dielës janë regjistruar 37 zjarre në gjithë Kosovën, nga to 18 ende janë aktive. Në Kçiq të Mitrovicës, janë djegur edhe tri shtëpi, por viktima nuk ka pasur.

Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj, ka thënë se situata e rënduar ka qenë edhe në fshatin Dumnicë të Podujevës.

“Aty ka pasur rrezik edhe për banorët dhe për portën tre të kufirit të Kosovës. I kemi kërkuar ndihmë KFOR-it, por ata e kanë shtyrë përgjigjen deri nesër në mëngjes për një rivlerësim të situatës. Ne kemi dërguar katër njësi zjarrfikësish nga Podujeva, Prishtina, Vushtrria dhe Mitrovica, të cilat e kanë lokalizuar zjarrin me sukses”, ka thënë Metaj.

Vatrat më të mëdha në ditët kur është kthyer vala e të nxehtit ndodhen në Ferizaj, Skenderaj, Vushtrri dhe Lipjan.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Ferizaj, Alberton Sahiti, thotë se zjarret në fshatrat Mirazh dhe Rahovicë kanë filluar që nga e shtuna pasdite.

“Zjarri ka nisur nga fushat dhe hamulloret, më pas është shpërndarë në zonat malore. Terreni është i papërshtatshëm, ndërsa era po e përhap më shpejt. Dyshimet më të mëdha janë se është shkaktuar nga dora e njeriut, për shkak të mbeturinave në një pjesë të caktuar të fshatit Mirazh”, ka thënë Sahiti.

Edhe drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent konstatoi se rreziku kryesor për shkaktimin e zjarreve mbetet faktori njeri.

“Kryesisht zjarret po vijnë nga hamulloret dhe më pas po shpërndahen në zona malore, gjë që i vë në vështirësi edhe zjarrfikësit. Kur shfaqet numër i lartë zjarresh, krijohen vështirësi për intervenim, ndërsa gatishmëria e tyre 24 orë është pothuajse e pamundur, sepse ata duhet të ndërrohen herë pas here”, ka thënë Metaj.

Metaj bëri të ditur se korriku dhe java e parë e gushtit kanë qenë ndër periudhat më të vështira të këtij sezoni. Ai thotë së nëse gjendja përkeqësohet, do të kërkohet ndihmë edhe nga Forcat e Sigurisë.

Për t’i fikur zjarret FSK-ja e dhe KFOR-i janë aktivizuar muajin e shkuar kur në disa komuna në Kosovë u shënuan temperatura rekorde.

Por në ndihmë për të shuar zjarrin është vënë edhe policia. 

Një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore gjatë përpjekjeve për të ndalur zjarrin fushor në Gregjenik të Kamenicës.

Siç ka njoftuar Policia, ai ka pranuar trajtim mjekësor dhe më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Zjarri është lokalizuar nga njësitet e zjarrfikësve.