Arbëri

Nga ndryshimi i kufijve te portet, Surroi e Kulla diskutojnë për qëllimin e Rusisë në Ukrainë

Ilir Kulla

Në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe analisti i gjeopolitikës Ilir Kulla diskutuan luftën në Ukrainë dhe strategjinë afatgjatë të Rusisë për ndryshimin e kufijve në Evropë përmes forcës.
Sipas Kullës, lufta në Ukrainë nuk është thjesht një konflikt rajonal, por pjesë e asaj që ai e cilëson si “lufta në Mesdhe” dhe në kontinentin evropian, ku Rusia ka ndjekur prej vitesh synimin historik për zgjerim territorial. Ai theksoi se Moska ka shfrytëzuar dobësinë dhe naivitetin perëndimor për të avancuar projektin e saj, duke filluar që nga viti 2008 me Abhazinë dhe më pas në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë.

Surroi rikujtoi se presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka fshehur asnjëherë ambicien për të “korrigjuar” kufijtë e humbur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, duke e cilësuar atë si “fatkeqësinë më të madhe” për Rusinë. Sipas tij, kjo filozofi ka udhëhequr veprimet ruse në Ukrainë dhe më gjerë.
Surroi e përgëzoi Kullën për qëndrimin kundër karshi idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se ideja ishte projekt rus.

Kulla ndërkohë shtoi se Rusia është mbështetur në disa shtylla kryesore për luftën në Ukrainë: pastrimin etnik në zonat me popullsi rusofone, kontrollin ekonomik përmes energjisë, drithërave dhe mineraleve të rralla, si dhe dominimin e porteve strategjike, veçanërisht në Detin e Zi. Ai theksoi se synimi fillestar ishte marrja e porteve si Mariupoli dhe izolimi i Ukrainës nga deti, duke lënë vetëm Odesën si dalje të fundit.

Në diskutim u nënvizua edhe përdorimi i demografisë si instrument sigurie kombëtare, përmes zhvendosjeve të detyruara të popullsisë dhe ndryshimit të përbërjes etnike të territoreve të pushtuara. Po ashtu, Kulla ngriti shqetësimin për shfrytëzimin e shëndetësisë dhe krizave si pandemia e COVID-19, duke vendosur spitalet nën kontroll ushtarak në zonat e pushtuara.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se lufta në Ukrainë ka ndryshuar thellësisht arkitekturën e sigurisë evropiane dhe se pasojat e saj do të ndihen për një kohë të gjatë, jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë kontinentin.
 

Lexo përditësimet tjera
Ilir Kulla

Ilir Kulla në PIKË me Veton Surroin