Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nga familja Jashari mohojnë interesimin për kandidaturën për president

Bekim Jashari

Anëtarë të familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, e kanë mohuar se kanë ndonjë qëllim për të kandiduar për postin e presidentit të vendit, pasi ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha të mërkurën se, nëse do të vinte një emër për president nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.

Fillimisht Murat Jashari, djali i vëllait të Adem Jasharit, Rifatit, tha për “VOX Kosova” se nuk ka interesim apo qëllim për t’u bërë president i Kosovës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ua kam bërë të qartë partive politike se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”, tha Murati. 

E Bekim Jashari, ish-kryetari i Komunës së Skenderajt dhe djali i Hamzë Jasharit, tha se “nuk kam çfarë t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”. Ai aludoi në deklaratat e Muratit. 

Konjufca nuk kishte dashur të flasë kur ishte pyetur nëse kishte vullnet nga familja Jashari për këtë çështje.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.

Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.

4 marsi është afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë presidentin e ri. Nëse nuk zgjidhet presidenti, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën e të hënën është takuar me kreun e PDK-së, Bedri Hamza dhe me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

Kurti pas takimit me Abdixhikun tha se do të bëhet përpjekje maksimale për t’u evituar zgjedhjet. Ai tha se nuk ka ndonjë emër të përveçëm për president. 

“Në vijim ose të gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të ketë 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë e votojnë më së largu deri 4 mars apo subjektet politike të merren vesh për rrugën përpara. Shfaqet e nevojshme të kemi diku 83-84 deputetë apo 85, pasi vetëm një nëse mungon atëherë shkojmë automatikisht në zgjedhje. Përgjithësisht përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë se s’duhet që edhe në vitin 2026 gjysmën e parë të na marrin zgjedhjet. Do të përpiqemi maksimalisht të evitojmë zgjedhjet shkaku i moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.