Arbëri

Nga 11 drejtori në Ferizaj, vetëm dy do të udhëhiqen nga gratë

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka prezantuar udhëheqësit e drejtorive me të cilët do të qeverisë për katër vjetët e ardhshëm. Në ekzekutivin e Aliut përveç shtatë drejtorëve nga PDK-ja, dy janë nga AAK-ja, dhe nga një drejtor nga Lista Guxo e Nisma Socialdemokrate. Përfshirja e më shumë subjekteve politike në ndarjen e pushtetit është arsyetuar me sigurimin e shumicës në Kuvendin Komunal nga kryetari Aliu.

“Jemi sot në një akt solemn të dhënies së përgjegjësive zyrtarëve, konkretisht ekipit tim, i cili do të jetë në katër vjetët e ardhshëm bashkë me mua për të implementuar vullnetin në të cilin besuan qytetarët e Komunës së Ferizajt. Vullnetin në të cilin besuan në një platformë qeverisëse, vullnetin që besuan në vizion që do të udhëhiqet nga unë për katër vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai.

Në ekzekutivin e Ferizajt bëjnë pjesën vetëm dy drejtuese gra, ndryshe nga mandati i kaluar kur ishin tri drejtoresha dhe kryesuesja e Kuvendit.

Kjo ka nxitur reagimin e shoqërisë civile në Ferizaj.

“Është dashur zotëri Aliu t’i kushtojë vëmendje dhe një rëndësi të veçantë emërimit të femrave, sepse është edhe kërkesë shoqërore, institucionale dhe ndërkombëtare që institucionet e nivelit publik të kenë një numër më të madh të femrave të jenë më pjesëmarrëse në vendimmarrje e po ashtu të jenë edhe të rëndësishme në qeverisjet e nivelit institucional”, ka kritikuar Kenan Gashi, drejtor i organizatës “AVONET”.

Kuvendi Komunal i Ferizajt është i përbërë prej 41 këshilltarëve. 17 prej tyre janë nga PDK-ja, 9 nga LVV-ja, 4 nga AAK-ja, 2 Reformimi Demokratik dhe nga një këshilltar kanë AKR-ja dhe Iniciativa e komunitetit të ashkalive.