Arbëri

“NEWBORN” ndër vite

Një gjurmë në shenjë respekti për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është mesazhi i “NEWBORN”-it për këtë vit.

Sikur edhe në çdo vit tjetër në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës, monumenti merr pamje të re.

Shtatë shkronjat e monumentit që simbolizon Pavarësinë e Kosovës vazhdojnë të mbesin atraksion për qytetarët në çdo përvjetor.

Përmes artit, tash e sa vjet “NEWBORN”-i bart mesazhe të ndryshme, falënderime e protesta.

Sipas ideatorit Fisnik Ismaili, domethënia për nder të 13-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë është menduar si kundërshtim i imazhit negativ të UÇK-së në skenën ndërkombëtare.

“Secili mesazh e ka treguar Kosovën si pjesë të botës. Mesazhet kanë tematikë politike, por jo të agjendave të subjekteve brenda, slogane të njërës apo parti tjetër. NEWBORN-i gjithmonë ka qenë gjithëpërfshirës dhe si i tillë e ka trajtuar një temë të caktuar”, ka thënë ai.

Monumenti, ani pse ka ndryshuar pamje disa herë, vetëm tri herë u është mundësuar qytetarëve që të lënë shenjat e tyre.

Për herë të parë u ishte lejuar në vitin 2008, më 17 Shkurt, kur u bë inaugurimi i obeliskut që menjëherë ishte shndërruar në brend.

Edhe në shkurt të vitit 2015 ishin ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in.

Hera e tretë ishte në vitin 2019, kur ngjyrosja u ishte lënë plotësisht në dorë të rinjve sipas dëshirës së tyre, si mesazh për lirinë e shprehjes.

Edhe këtë vit qytetarët janë të lirë të lënë shenjat e tyre, ani pse duhet ndjekur konceptin e menduar. Por kjo nuk është diçka e rastësishme, pasi që ngjyrat simbolizojnë rrobat e UÇK-së.

Qytetarët e mirëpresin këtë ndryshim, duke thënë se kjo përçon mesazh për Ushtrinë e pastër që kishte Kosova.

Ideatori i këtij monumenti tregon se cilin nga mesazhet e ka më për zemër.

“NEWBORN”-i disa herë ishte në vëmendje të mediave ndërkombëtare. Por që promovimi më i mirë iu bë përmes këngëtares Rita Ora, e cila mbi të realizoi disa pjesë të vidoklipit të një kënge të lansuar gjatë vitit 2012.

Vitin e kaluar ngjyrosja e “NEWBORN”-it ishte një homazh për viktimat e abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës.

Monumenti që simbolizonte lindjen e një shteti të ri u vendos në qendër të Prishtinës më 17 Shkurt 2008, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.