Mungesa e njehsorëve në ekonomi familjare e biznese në katër komunat e veriut e ka pamundësuar nisjen e shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike te të gjithë konsumatorët.
Në mënyrë që të bëhet faturimi që duhej të niste nga janari nga kompania “Elektrosever”, KEDS-i si operator i autorizuar për shtrirje të rrjetit atje e ka vlerësuar si domosdoshmëri vendosjen dhe zëvendësimin e njehsorëve. Këtë e ka theksuar në “Aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2024” që ia ka dorëzuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE)-së. Aty parashihet që faza e parë e vendosjes së njehsorëve do të bëhet me një investim fillestar të KEDS-it, ndërkaq e dyta me financim të Bashkimit Evropian.
“Kemi paraparë një investim fillestar, i cili është i domosdoshëm për të filluar operimet, siç janë kostot për ndërrimin e njehsorëve, rehabilitimin, zgjerimin e rrjetit, etj. Kostot e parapara për instalimin e njehsorëve përfshijnë vetëm njehsorët që do të instalohen në fazën e parë, ndërsa kostot e parapara për fazën e dytë nuk janë përfshirë në këtë aplikim pasi që nga diskutimet me akterët e tjerë të përfshirë në këtë proces të njëjtat priten të financohen nga Bashkimi Evropian”, thuhet në letrën e KEDS-it për ZRRE-në.
Por, në një përgjigje dhënë KOHËS, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka konfirmuar se do të ofrohet ndihmë financiare për këtë qëllim. Ai vetëm ka theksuar se konform Marrëveshjes së Brukselit ka nisur leximi i njehsorëve.
“Leximi i njehsorëve ka filluar në katër komunat me shumicë serbe të Kosovës. Ky është një hap i rëndësishëm përpara pasi shënon fillimin e furnizimit të “Elektroseverit” me energji elektrike për këto komuna në mënyrë të rregulluar dhe transparente”, ka thënë Stano.
E, nëse BE-ja nuk i financon njehsorët, KEDS-i në dokumentin drejtuar ZRRE-së ka theksuar se kostoja e instalimit të tyre do t’u bartet në fatura konsumatorëve të komunave të veriut.
“Nëse këto kosto nuk mbulohen ashtu siç është diskutuar, të njëjtat duhet të përfshihen në të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2024, meqenëse janë domosdoshmëri drejt normalizimit të furnizimit dhe faturimit në atë zonë”, thuhet në këtë dokument.
Ndonëse edhe BE-ja e edhe Qeveria e kanë konfirmuar se ka nisur leximi i njehsorëve, qytetarët në veri janë shprehur se ende nuk kanë pranuar faturat për muajin janar.
Sipas një përgjigjeje të KEDS-it dhënë KOHËS, në veri të vendit janë rreth 20 mijë konsumatorë, detajet e të cilëve tashmë i posedon ky operator.
“Bazuar në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të vitit 2022, ‘Elektrosever’, si nënkontraktues i KEDS-it, do të duhej të përpilonte një plan investiv, bashkë me kostot e kërkuara të mirëmbajtjes, të cilat KEDS-i i dorëzon pastaj në ZRRE për aprovim”, thuhet në përgjigje.
Sipas KEDS-it, procesi i implementimit të kontratave komerciale me “Elektroseverin” është duke ecur sipas ligjeve në fuqi të Kosovës mbi energjinë, sipas marrëveshjeve për energjinë të viteve 2013 dhe 2015 dhe sipas Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë i vitit 2022.