Arbëri

Negociatave në Bruksel nuk u parapriu dialogu me serbët e Kosovës

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse do të ketë dialog me serbët e Kosovës, që ishte paralajmëruar t’u paraprinte edhe negociatave të Brukselit. Kryeministri Kurti deri tani nuk ka treguar nëse planifikon ta vizitojë veriun e populluar me shumicë serbe, derisa në program shprehet përcaktimi se dialogu me Serbinë ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve. Krahas dialogut, analistët thonë se duhet ndërhyrja e shtetit për t’i ndalur presionet e Beogradit mbi qytetarët serbë në Kosovë, në mënyrë që atyre t’u garantohet përfaqësim adekuat

Nisjes së negociatave në Bruksel nuk i ka paraprirë edhe një dialog me serbët e Kosovës, të cilin e kishte promovuar kryeministri Kurti.

Në kabinetin e tij nuk kanë treguar nëse do të zhvillohet një dialog i tillë, as për veprimet që synojnë t’i ndërmarrin për ta zbehur ndikimin e Beogradit zyrtar mbi serbët. Prej vitit 2013, kur u themelua si subjekt, Lista Serbe ka dominuar te ky komunitet shpesh nëpërmjet presioneve e shantazheve, që janë konfirmuar edhe në raporte ndërkombëtare.

Analisti dhe gazetari nga Mitrovica, Branislav Kërstiq thotë se dialogu është i domosdoshëm, teksa sheh rritje të propagandës së Beogradit.

“Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar pretendojnë ta akuzojnë Zyrën e kryeministrit Kurti me atë që revolucioni demokratik, që ndodhi në Kosovë, po kthehet në romantizëm te shqiptarët e Kosovës dhe se jotoleranca ndaj serbëve po rritet në vazhdimësi. Ky është plani i Beogradit zyrtar dhe Listës Serbe. Këtë plan ata janë duke e publikuar në mbi 90 për qind të mediave serbe, të cilat i kontrollon regjimi në Beograd”, ka thënë Kërstiq. “Duket se është momenti i fundit për dialog. Shumica e qytetarëve të Kosovës shumë mirë e dinë për animozitetin që ekziston ndaj Listës Serbe. Prandaj edhe serbët e zakonshëm duan dialog me kryeministrin Kurti. Shumica e serbëve me të cilët jam në kontakt, do të thotë qytetarët e Kosovës në komunat serbe, jo ata që janë robotë të Aleksandër Vuçiqit dhe Listës Serbe janë të gatshëm për dialog me kryeministrin e Kosovës”.

Ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka theksuar se duhet ndërhyrja e shtetit për t’i ndalur presionet e Beogradit mbi qytetarët serbë në Kosovë, në mënyrë që atyre t’u garantohet përfaqësim adekuat.

“Lista Serbe ka pasur për qëllim eliminimin e vullnetit qytetar të serbëve për ta marrë vendin e vet në shoqërinë kosovare. Në zgjedhjet e fundit pretendimet e Serbisë shkuan aq larg saqë edhe komunitetet e tjera deshi t’i fuste në këtë vorbull në të cilën e kishte futur vetë komunitetin serb që nga viti 2014. Fatbardhësisht komunitetet e tjera luftuan aq sa patën mundësi për ta rezistuar një fenomen të tillë”, ka thënë Mushkolaj në emisionin “Desku” të KTV-së.

“Qeveria e ka për detyrë, tejet të madhe, edhe KQZ-ja që t’u garantojë qytetarëve serbë përfaqësim adekuat. Duhet përkushtim edhe nga ana e BE-së që zgjedhjet të jenë të lira që edhe komuniteti serb të ketë mundësi t’i zgjedhë përfaqësuesit e vet, e jo Vuçiqi t’i imponojë njerëzit e vet”.

Teksa Kurti nuk ka treguar nëse planifikon ta vizitojë veriun e populluar me shumicë serbe, në program është shprehur përcaktimi se dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut ndërshtetëror.

Më 17 tetor mbahen zgjedhjet lokale dhe ato kanë qenë temë diskutimi mes kryeministrit Kurti dhe shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri ka thënë se është e domosdoshme të ketë zgjedhje të lira, demokratike e fer edhe në komunat me shumicë serbe.

Me dyshimin se zgjedhjet në komunat ku udhëheq Lista Serbe janë orkestruar duke votuar një iniciativë rome dhe një tjetër boshnjake, organet përgjegjëse kishin anuluar mijëra vota në ato komuna në zgjedhjet e 14 shkurtit. Po ashtu prokuroria pati nisur hetimet.

Ky subjekt u krijua në vitin 2013, pas marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë. Parakusht i serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e organizuara për herë të parë edhe në komunat veriore ishte themelimi i një subjekti të vetëm që do t’i përfaqësonte interesat e serbëve në Kosovë.