Mbi 12.5 milionë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit, nga njerëzit e pushtetit, gjatë vitit 2018.
Krahasuar me vitin 2017, ka pasur një rritje prej 24.7 përqind të këtyre shpenzimeve, apo gati 2.5 milionë euro më shumë.
Edhe për darka zyrtare brenda dhe jashtë vendit, institucionet kanë shpenzuar miliona euro.
Kjo ka bërë që kategoria për mallra dhe shërbime të shënojë rritje të shpenzimeve prej 12 përqind në 2018-n, krahasuar me vitin 2017.
Gjatë vitit 2018, u shpenzuan 3.4 milionë euro për dreka zyrtare, apo 17.5 përqind më shumë se në 2017-n, ku u shpenzuan 2.9 milionë euro, ka raportuar Koha Ditore.
Për drekat zyrtare jashtë vendit u shpenzuan 45 mijë euro apo 80 përqind më shumë sesa në 2017-n, kur ishin shpenzuar 25 mijë euro.
Por, për dallim prej shpenzimeve, ka pasur një rritje të mëditjeve për udhëtime zyrtare.
Për mëditje, gjatë 2018-s, u shpenzuan 4.4 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 janë shpenzuar 3 milionë euro.
Shuma prej 2.9 milionë eurove është shpenzuar për akomodim për udhëtime zyrtare jashtë vendit, në vitin që kemi lënë pas. Ndërsa në vitin 2017 janë shpenzuar 1.6 milionë euro për akomodim.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë shpenzuar mbi 2 milionë euro për blerje të mobilieve, apo gjysmë milioni më shumë se vitin e kaluar.
Rritje të shpenzimeve pati edhe për blerjen e telefonave të rinj dhe kompjuterëve. Për telefona u shpenzuan 73 mijë euro apo 20 mijë më shumë se në vitin 2017.
Ndërsa për kompjuterë janë shpenzuar 1.4 milion euro, apo 800 mijë euro më shumë sesa në vitin 2017.
Ditë më parë, edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka shpalosur të dhëna për shpenzimet e Qeverisë.
Sipas kësaj organizate, 6 milionë euro për një vit i kanë kushtuar buxhetit kabinetet e 21 ministrive të qeverisë Haradinaj.