Gjatë së premtes ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Naser Pajazitaj, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, që ka ndodhur në nëntor të 2015-s. Në seancë është ftuar edhe eksperti i Forenzikës, nga i cili është kërkuar të konstatojë nëse në disa imazhe shihej ose jo viktima në veturën e të dyshuarit
Ekspertë të Forenzikës nuk kanë nxjerrë një informatë thelbësore që e priste gjykata, në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt nga i akuzuari Naser Pajazitaj. Ata kishin detyrë të pastronin disa video dhe fotografi të veturës së të akuzuarit, për të kuptuar nëse brenda ndodhej edhe e ndjera.
Në seancën e së premtes të zhvilluar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, eksperti i Forenzikës ka thënë se nuk i takon atij ta japë këtë konstatim.
“Kërkesa juaj për identifikim nuk bie në domenin tim. Pra, nuk mund të jap një mendim për të cilin nuk jam i thirrur”, ka thënë para trupit gjykues Besim Asllani, ekspert i Forenzikës.
E, mungesën e përgjigjes e ka konstatuar edhe prokurorja e rastit, Valbona Haxhosaj.
“Eksperti nuk e ka përcaktuar identifikimin e veturës te shtëpia, se a është e njëjta veturë dhe a shihet në kamera, meqenëse e keni ftuar ekspertin sot për këtë rrethanë se a ka kompetencë të japin një mendim”, ka thënë prokurorja Haxhosaj.
Në këtë seancë i pandehuri Naser Pajazitaj është mbrojtur në heshtje.
E, gjykata ka refuzuar propozimin e avokatit të tij, Ahmet Tahiri, për ta thirrur edhe një dëshmitar në këtë gjykim.
“Kjo lëndë për herë të katër është në rigjykim dhe kjo lëndë po zvarritet për shkak të paragjykimeve ndaj klientit tim, duke u bërë gjyq publik, duke pretenduar se është kryerës i veprës penale. Me asnjë provë, me asnjë dëshmitar, nuk vërtetohet se i pandehuri Naser ka kryer këtë vepër”, ka thënë avokati Tahiri.
Që nga nëntori i vitit 2015, Naser Pajazitaj akuzohet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, që ka ndodhur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, në nëntor të vitit 2015. Gjatë një procesi, atij i është shqiptuar dënim i përjetshëm me burg, por procesi është kthyer në rigjykim.
Prokurorja e rastit dhe avokati i të pandehurit më 21 qershor do ta paraqesin fjalën përfundimtare para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj.