Tiranë, 23 dhjetor - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën, përmes një video-konference, ka përshëndetur ceremoninë e organizuar për nisjen e punimeve për ndërtimin e 522 banesave në qytetin e Laçit, një nga zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Projekti do të kushtojë afërsisht 42 milionë euro dhe do të financohet nga Qeveria turke. Në fillim të fjalës së tij, presidenti i Turqisë i ka cilësuar banorët e Laçit si “vëllezërit e mi të çmuar”.
“Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan. Ne e shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë, dhe pikëllimin e tij si pikëllimin tonë. Pas tërmeteve që ndodhën më 21 shtator dhe 26 nëntor, i mobilizuam menjëherë mundësitë tona. Pas tërmetit të shtatorit, nëpërmjet Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, kemi dërguar 4 kamionë me ndihma humanitare. Pas tërmetit të 26 nëntorit, krahas ndihmave, ne ofruam dhe vendosëm të ndërtojmë shtëpi për vëllezërit tanë shqiptarë. Pavarësisht pandemisë COVID-19, nënshkruam në korrik Protokollin e Memorandumit dhe në gusht filluam punimet. Sot po realizojmë ceremoninë e hedhjes së themeleve për këto banesa, të cilat do të shndërrohen në një strehë të ngrohtë për vëllezërit tanë shqiptarë. Po realizojmë këtë ceremoni me pjesëmarrjen edhe të ministrit tonë të Mjedisit dhe Urbanizimit dhe shpresoj që ky projekt, që përfshin 522 banesa dhe që do të kushtojë afërsisht 42 milionë euro, të jetë i dobishëm”, ka deklaruar presidenti i Turqisë, Erdogan.
Kreu i shtetit turk, investimin prej rreth 42 milionë eurosh për ndërtimin e 522 apartamenteve në Laç e vlerëson si një shenjë të re të miqësisë Turqi-Shqipëri.
“Këto shtëpi do të shërbejnë si një shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri. Shpresoj që për një kohë të shkurtër, faza e parë të mbarojë sa më shpejt dhe që t’ua dorëzojmë sa më shpejt vëllezërve tanë që kanë humbur banesat e tyre nga tërmeti”, ka thënë Erdogan.
Me këtë rast, presidenti i Turqisë ka përshëndetur edhe kryeministrin Edi Rama.
“Personalisht dua ta falënderoj miku tim me vlerë, kryeministrin Rama, për kontributin që ka dhënë dhe shpresojmë që pasojat e kësaj fatkeqësie t’i kalojmë sa më shpejt. Do të sigurohemi që të prekurit të kenë një jetë më të qetë dhe më të sigurt”, ka theksuar Erdogani.
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar marrëdhëniet me Turqinë si krejt të veçanta dhe lagjen që po ndërtohet si një simbol i duarve të shtrënguara të miqësisë dhe të solidaritetit.
“Kjo është një lagje, një lagje simbol e duarve të shtrënguara të miqësisë dhe të solidaritetit, e cila do të jetë këtu për kohë që vijnë si dëshmi e kësaj marrëdhënieje krejt të veçantë mes dy popujve, dy vendeve dhe dy qeverive tona”, deklaroi Edi Rama.
Për shefin e Qeverisë shqiptare, ky projekt nuk është thjesht një projekt me pallate, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, parkime, qendër tregtare e kështu me radhë, por është dhe një projekt që vjen si shprehje respekti për territorin, një projekt që vjen me parametra urbanë miqësorë me territorin dhe një projekt që merr në konsideratë elementë tradicionalë, të përkthyer natyrisht në një arkitekturë bashkëkohore.
Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanistikës, Murat Kurum, i pranishëm në ceremoninë e mbajtur në qytetin e Laçit, i premtoi presidentit Erdogan se në gusht të vitit 2021 do të përfundojnë të gjitha njësitë e banimit.