Arbëri

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan po trajtohen 45 të mitur

Me programe të veçanta për të miturit, krahas procesit të rregullt mësimor, Qendra Korrektuese në burgun e Lipjanit synon rehabilitimin dhe socializimin e tyre.

Nëpërmjet këtyre programeve, zyrtarët në këtë qendër thonë se e kanë për qëllim që të miturit, të cilët po trajtohen, të shndërrohen në persona të dobishëm për veten dhe shoqërinë

Abaz Buja, Koordinator i Arsimit në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, ka treguar se së fundi Qeveria holandeze ka financuar programin “TOPS”, i cili ka për qëllim menaxhimin e zemërimit, vendimmarrjen sociale dhe ndihmën e ndërsjellë.

“Menaxhimi i zemërimit është tema kryesore për arsye se me menaxhim të zemërimit kemi problem të gjithë, e posaçërisht të miturit dhe për këtë shkak shumica prej tyre vijnë këtu. Gjithashtu ne këta i mësojmë edhe me gjuhën e përgjithshme të programit që janë mendimet e gabuara, të cilat i shtyjnë këta drejt problemeve dhe ne mundohemi që përmes shembujve që i marrim, mundohemi që këta të rinj t’i korrigjojnë ato gabime në të menduar dhe pastaj sjelljet e tyre të papërgjegjshme t’i bëjnë të përgjegjshme”, ka deklaruar Buja.

Edhe Flaka Imeri, zyrtare për Punë Sociale në këtë qendër thotë se stafi është i përkushtuar që gjendja emocionale e të miturve të jetë e qëndrueshme, duke ofruar kontakte të përditshme me punëtorët socialë.

“Raportet me familje janë shumë të rëndësishme, duke e parë që shumë prej tyre nuk kanë raporte të mira familjare dhe me faktorë të jashtëm, që janë rrethuar si: kushtet ekonomike, marrëdhëniet jo të mira mes vete dhe moskujdesi ndaj prindërve, atëherë ka bërë që këta fëmijë të marrin një rrugë tjetër”, tha ajo.

“Jemi duke tentuar që përveç vetëdijesimit të të miturve, të punojmë edhe me parandalimin e përdorimit të narkotikëve, konkretisht në pasojat që krijojnë narkotikët. Në vazhdën e kësaj, kemi bërë një skenar të një filmi të metrazhit të shkurtër, ku paraqet historinë e një të mituri, i cili bie pre e një dileri ose mashtruesi dhe mandej bie viktimë dhe fillon të përdorë narkotik”, deklaroi Shpendim Sadiku, punëtor social.

Në këtë Qendër Korrektuese po trajtohen rreth 45 të mitur, shumica prej tyre janë të angazhuar në aktivitete të ndryshme arsimore, edukative, kulturore dhe sportive.