Liderë shtetërorë dhe ata opozitarë e kanë uruar SHBA-në me rastin e datës së pavarësimit. Ata e kanë vlerësuar rolin e SHBA-së në shtetndërtimin e Kosovës teksa e kanë lartësuar si shembull të idealit të lirisë dhe të barazisë së popullit. Për ndër të kësaj dite, shoqata “Miqtë e Amerikës” ka organizuar disa aktivitete pranë shtatores së ish–presidentit amerikan, Bill Clinton, në Prishtinë
Me parakalimin e Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) dhe të disa njësive të Policisë është shënuar në Kosovë 248-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Krahas aktiviteteve të organizuar nga shoqata “Miqtë e Amerikës”, liderë shtetërorë dhe politikë i kanë përcjellë mesazhe urimi SHBA-së për nder të 4 korrikut.
Në urimin e saj, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se për këtë datë populli i Kosovës feston krahas atij të SHBA-së.
“Aleancë që vazhdon t’u mbijetojë kohës dhe sfidave! Sot, populli i Kosovës feston krahas popullit amerikan. Sot, kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme! Aleatëve tanë amerikanë: Gëzuar 4 Korriku!”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kontributin e SHBA-së në shtetndërtimin e Kosovës e ka vlerësuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai, nëpërmjet një mesazhi të postuar në rrjete sociale, ka thënë se SHBA-ja është shembull i idealit të lirisë, barazisë dhe vullnetit të popullit.
“Është ditë kur kremtohet demokracia dhe fitorja e saj, kur kujtohen me respekt përpjekjet e atyre që me vendosmëri e sakrificë e mbajtën gjallë, deri në realizimin e tij, atë vizion çlirues që do të sillte përparimin më të jashtëzakonshëm brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe efekte të mëdha në mbarë botën.
Në këtë frymë, por në një kontekst tjetër, SHBA-ja vazhdon t’i prijë përpjekjes së aleancës së demokracive për ta ruajtur idealin e lirisë dhe barazisë së popujve në luftën e pakompromis kundër autoritarizmit dhe pushtimit”, ka shkruar Konjufca.
E kryeministri Albin Kurti urimin për 248-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së e ka përqendruar tek dëshira e fundit e ish-presidentit Thomas Jefferson.
“Më 24 qershor 1826, Thomas Jefferson shprehu një dëshirë të fundit: që Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta frymëzonte edhe pjesën tjetër të botës që t'i thyejë prangat dhe të pranojë bekimet dhe sigurinë e vetëqeverisjes. Jefferson vdiq vetëm 10 ditë më vonë, më 4 korrik, në ditëlindjen e 50-të, të vetë shtetit të cilin kishte ndihmuar ta themelonte”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se angazhimi dhe përkushtimi i SHBA-së kanë qenë vendimtarë në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka theksuar se SHBA-ja i ka vendosur themelet e forta të lirisë, demokracisë, të cilat shërbejnë si vlera përparimtare të popujve. Ai ka theksuar se këto vlera duhet të triumfojnë “përballë agresioneve e rreziqeve me të cilat po përballet bota e njerëzimi”.
Mesazhe urimi për pavarësinë e SHBA-së kanë adresuar edhe udhëheqës të partive opozitare.
Ai i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, në urimin e tij ka theksuar se përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur e SHBA-së kanë frymëzuar Kosovën që të nisë një rrugë të re, atë të lirisë dhe të zhvillimit.
E kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kanë vlerësuar se 4 korriku shënon datën e lindjes së vendit që e identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve.