Arbëri

Në përpjekje për ta mbrojtur, Serbia demanton Popoviqin

Menjëherë pas dëbimit nga Kosova, zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, i cili u dënua pasi fyeu UÇK-në, tha se nuk e ka pranuar fajësinë në gjykatë dhe as nuk ka bërë marrëveshje me prokurorinë. E një ditë pas, Ministria e Drejtësisë e Serbisë, në përpjekje për ta mbrojtur, konstatoi se pranimi i fajësisë dhe marrëveshja janë bërë nën presion. Këtë e quajti propagandë, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Xhirimet nga seanca gjyqësore tregojnë se Popoviqi konfirmon edhe marrëveshjen e edhe që atë nuk e ka bërë nën presion

Qeveria e Serbisë e ka demantuar të shtunën zyrtarin e saj që një ditë më parë u dëbua nga Kosova, Igor Popoviq, në përpjekje për ta mbrojtur.

Autoritetet e larguan për në Serbi, pasi këtë ditë Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit meqë fyu UÇK-në, dënim i cili iu zëvendësua me një gjobë prej 3 mijë eurosh, si dhe me ndalim hyrjeje në Kosovë për dy vjet.

Procesi gjyqësor u zhvillua, pasi Popoviqi arriti marrëveshje me Prokurorinë Speciale për ta pranuar fajësinë e edhe dënimin.

Por, ky zyrtar serb, që mban pozitën e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, me ta lëshuar territorin e Kosovës, ka thënë se se nuk pranon fajësinë dhe se nuk ka arritur asnjëlloj marrëveshjeje.

“Të sqarohemi një herë, këtu nuk ka asnjë marrëveshje me gjyqësorin e Kurtit, sepse unë nuk pranoj asnjë faj për atë që thashë”, ka thënë Popoviq për “Kosovo Online”. “Në asnjë moment nuk i kam tërhequr dhe as do t’i tërheq fjalët e mia. Ky proces është pasojë e presioneve të instrumentalizuara politike të gjyqësorit të Prishtinës dhe kësisoj nuk ka asnjë lloj fuqie”.

Por, Ministria e Drejtësisë e Seërbisë e ka demantuar, në një deklaratë të lëshuar të shtunën, e nëpërmjet së cilës është përpjekur ta mbrojë.

Në të është theksuar se Popoviq “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë”, arriti marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

“Ne theksojmë se nënshkrimi dhe përdorimi i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në një rast të tillë shërben ekskluzivisht si një mjet për stigmatizim shtesë të popullit serb dhe forcimin e kontrollit politik, dhe jo si një instrument i sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Ky institucion i Serbisë ka shprehur pretendimin se gjykimi i Popoviqit përbën “shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të popullit serb”.

“Prandaj, Republika e Serbisë do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe politike për të mbrojtur Igor Popoviqin dhe për të ekspozuar këtë padrejtësi të rëndë para bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj ministrie, marrëveshja për pranimin e fajësisë “nuk prodhon efekt juridik në rendin juridik të Serbisë”.

“Përveç kësaj, vetë marrëveshja është e pavlefshme, sepse është lidhur nën presion dhe në kushte shkeljeje të të drejtave themelore të garantuara nga Rezoluta 1244 dhe Karta e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në të.

Pas deklaratës, ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka quajtur të rreme akuzën e Serbisë se Popoviq, e pranoi fajësinë “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë”.

Ajo ka theksuar se Serbia jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në Kosovë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Popoviqit.

“Ministria e Drejtësisë e Serbisë paska dalë me akuzë tjetër të rreme duke thënë se zyrtari i saj Igor Popoviq e ka pranuar fajësinë nën kushte presioni. Por, në videon më poshtë mund ta shihni se jo vetëm i akuzuari Popoviq, por edhe vet avokati i tij theksojnë se me vullnet të plotë është bërë si pranimi i fajësisë, ashtu edhe marrëveshja”, ka shkruar ajo në Facebook, e ku e ka bashkëngjitur videon nga seanca gjyqësore ku e pranon fajësinë.

Popoviqi e pranoi të premten para gjykatësit disa herë se qëndron prapa marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshjen e ka nënshkruar pa asnjë lloj presioni.

Popoviq u arrestua më 18 korrik në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë, pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku UÇK-në e quajti terroriste.

Pas ndalimit policor prej 48 orësh, Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij e apeloi vendimin, por edhe shkalla e dytë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e Themelores më 31 korrik.

Prokuroria e akuzoi atë se me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë fjalimit të mbajtur në Hoçë të Madhe.

Çështjen e arrestimit të Popoviqit, zyrtarët serbë e kanë ngritur edhe gjatë takimeve me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, të akredituar në Serbi, por edhe me shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Pas shqiptimit të paraburgimit ndaj Popoviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”. Kjo deklaratë u pa si kërcënim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i cili kapitulloi qershorin e 1999-s.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13 mijë civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1 mijë e 600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

Serbia nuk i dorëzon në Kosovë të akuzuarit për krime lufte. Në vitet e fundit, disa procese gjyqësore janë zhvilluar në mungesë, e janë shqiptuar edhe dënime.